
Përhapja e lajmit se sasia prej 200 kilogramësh e kokainës mbërriti në destinacionin e paramenduar në Gjirokastër, duket se është vlerësuar si “letra më e fortë në tavolinë” nga autoritetet e Interpolit.Ndërsa lënda narkotike është “lënë rrugës”, për publikun u pohua bllokimi i saj në pikën e mbërritjes. Në këtë mënyrë, mbase do të shfrytëzohej befasia për vënien në pranga të të gjithë të përfshirëve në linjën e trafikut.
Rrugëtimi i drogës është dokumentuar dhe provuar nga përgjimet dhe hetimet e Prokurorisë shqiptare, asaj spanjolle dhe belge, përmes metodës “dorëzim i kontrolluar”. Por, mbetet ende mister linja që do të përshkonte ngarkesa e drogës e përzier me vaj palme dhe përse autoritetet shqiptare nxituan të bëjnë publik operacionin pa u kontrolluar ende ngarkesa. Ndërsa të nesërmen, pasi Prokuroria e Përgjithshme njoftoi për bllokimin e një sasie prej 200 kilogramësh kokainë në Gjirokastër, duke përmendur edhe linjën se nga kishte kaluar ngarkesa, Policia e Shtetit nuk pati asnjë deklaratë publike. Interpoli “përdori” në këtë rast autoritetet shqiptare, në mënyrë që të kapeshin personat e tjerë të përfshirë në këtë trafik ndërkombëtar të një sasie kaq të madhe droge. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë thanë se është në dorën e hetuesve spanjollë dhe belgë zbulimi dhe arrestimi i personave të tjerë që ndodhen jashtë kufijve të Shqipërisë. Ndërsa i vetmi që aktualisht rezulton në pranga është Dhimitris Holtis, i cili u arrestua në Gjirokastër. Burime të sigurta nga Policia e Shtetit thanë se në Shqipëri ka mbërritur ngarkesa vetëm me vaj, i cili ende nuk është ekzaminuar se çfarë lloji është. Ndërsa autoritetet belge kanë njoftuar se droga e tretur në vajin e palmës është bllokuar në Anversë të Belgjikës. Hetuesit e huaj që morën pjesë në “dorëzimin e kontrolluar” të lëndës narkotike e argumentuan ndalesën e drogës në Belgjikë me frikën se mund të dekonspiroheshin, apo edhe të ndonjë përplasjeje të mundshme për shkak të rrugës së gjatë që do të ndiqte kamioni.
INFILTRIMI
Sipas të dhënave nga Policia e Shtetit rezulton se shoferët e kamionit që do të sillte ngarkesën me drogë nga Spanja në Gjirokastër, duke kaluar më parë edhe në shtatë shtete të tjera, kanë qenë në dijeni për ndërrimin e bidonëve të vajit në Belgjikë. Ata kanë bërë një marrëveshje me autoritetet belge për të heshtur, në mënyrë që askush të mos rrezikonte me sasinë e madhe të drogës që po transportohej e, nga ana tjetër, të përfundonin në pranga të gjithë personat e përfshirë në trafik. Sipas burimeve nga Policia shqiptare, sasia prej 200 kilogramësh kokainë ka mbërritur nga Kolumbia në një ishull të Spanjës. Aty është tretur në vajin e palmës, për t’u nisur menjëherë drejt Belgjikës. Ndalesa e radhës së kamionit ka qenë në Amvers dhe aty, me ndihmën e shoferëve, është ndërruar ngarkesa. Mësohet se Policia dhe Prokuroria belge kanë bllokuar bidonët me vaj palme ku ishte tretur kokaina, duke ngarkuar në kamion bidonë të tjerë vetëm me vaj, që ende nuk është ekzaminuar se e çfarë lloji është.
Vaji i bllokuar
Nga të dhënat e policisë rezulton se kamioni që ka përshkuar Austrinë, Slloveninë, Kroacinë, Serbinë dhe Maqedoninë, ka mbërritur në Shqipëri në fabrikën “Merentino” në Gjirokastër, vetëm me një sasi prej pak gramësh kokainë dhe sasinë e vajit, që në fakt nuk është ai që pritej. Kamioni me bidonët e vajit është sekuestruar nga policia dhe tashmë ndodhet në Tiranë, në pritje të analizave kimike. Ndërsa ngarkesa e vërtetë që ishte porositur nga shtetasi Dhimitris Holtis, bidonët me vaj palme ku ishte tretur kokaina, është sekuestruar në Anversë dhe ndodhet në Belgjikë. Në Laboratorin e Kriminalistikës është dërguar një sasi vaji, për të verifikuar përbërjen e tij.
Si përpunohet vaji i palmës me kokainë
Lënda narkotike e llojit kokainë, në momentin që tretet në vajin e palmës, ndodhet në gjendje të lëngshme. Lëngu përftohet nga shtypja e gjetheve të kokës, nga ku del elementi narkotik në gjendje të lëngshme që hidhet në vajin e palmës. Por, para se të tretet në këtë lloj vaji, kokaina e lëngshme përzihet me amoniak, i cili ndihmon në procesin e ndarjes së vajit nga droga, pasi amoniaku ndihmon kokainën që të mpikset dhe të kthehet në gjendje të ngurtë. Trafikantët e drogës së fortë zgjedhin pikërisht vajin e palmës, pasi vetëm me këtë përzierje qentë e antidrogës nuk mund ta nuhasin lëndën narkotike. Në këtë mënyrë, një kontroll i zakonshëm policie nuk mund ta zbulojë në asnjë rast ngarkesën e drogës.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











