Ekspertët në Japoni kanë premtuar se kriza nukleare në centralin e Fukushimës do të zgjasë deri në fund të vitit. Për herë të parë ata kanë paraqitur një plan veprimi, në të cilin synimi brenda një afati tremujor është izolimi i tre rrjedhjeve nukleare në disa prej reaktorëve të Fukushimës dhe pastaj, në pjesën tjetër të mbetur të vitit, (bëhet fjalë për një periudhë tjetër tre apo gjashtë mujore) të bëhet ftohja përfundimtare e të gjashtë reaktorëve. Tepco, kompania që menaxhon energjinë nukleare në centralin bërthamor, planifikon mbulimin e godinës së reaktorëve. Televizionet dje kanë transmetuar pamje filmike të centralit të Fukushimës, ku dukej qartë shkalla e shkatërrimit të tij.
Japonia ka qenë nën presion nga e gjithë bota për të qenë më transparente për rrezikun e krizës nukleare të krijuar në territorin e saj, por edhe në buzë të Oqeanit Paqësor, që pas tërmetit 9 ballësh të 11 marsit dhe cunamit që e pasoi atë. Shkalla e rrezikut shkoi nga pesë, që ishte deri pak ditë më parë, në shtatë, e cila është e barasvlershme me rrezikun që u paraqit pas incidentit më të rëndë nuklear në historinë botërore, atij të Çernobilit. Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, ishte dje për vizitë në Japoni, ku premtoi një ndihmë të bashkë-koordinuar për të kapërcyer krizën nukleare dhe atë ekonomike që ka mbërthyer tashmë Japoninë. Vizita e Klintonit u komentua shumë nga mediat, pasi ajo nuk u përkul para çiftit perandorak japonez, duke thyer protokollin e këtij vendi.











