Klinton lavdëron Jahjagën: Frymëzim për gratë në rajon

Apr 15, 2011 | 10:46

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, e ka lavdëruar Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, si “femra e parë udhëheqëse e shtetit në hapësirat e ish-Jugosllavisë”.Sipas Sekretares amerikane, “udhëheqja Juaj pa dyshim do të inspirojë gra dhe vajza në tërë rajonin dhe do t’i tregojë tërë botës vlerat demokratike dhe tolerancën që shteti Juaj i ri i ka përqafuar”. Kështu shkruhet në mesazhin e saj të urimit për zgjedhjen e Presidentes. Klinton është shprehur se e kujton me dashuri takimin me Jahjagën në Prishtinë vitin e kaluar. “Pres me padurim të punoj me Ju në përmirësimin e rolit të femrës në rajonin e Ballkanit dhe të vazhdojmë përpjekjen tonë të përbashkët për të forcuar qeverisjen e Kosovës, që ta vendosim sundimin e ligjit në tërë shtetin dhe ta zgjerojmë njohjen ndërkombëtare të Kosovës”, shkruhet në mesazhin saj. Presidentja Jahjaga ka marrë mesazh urimi edhe nga Mbretëresha e Holandës, Beatrix R. Por Presidentja duket se është figurë e njohur në SHBA, dhe aspak në BE. Deputeti i PE-së, Jelko Kacin, u ka drejtuar një pyetje kolegëve të tij në BE, se a e njohin Presidenten e re të Kosovës. Miroslav Lajcak, i dërguari për Ballkanin, është përgjigjur se nuk di më shumë sesa që kanë dëgjuar edhe vetë deputetët, porse, siç është shprehur, “rëndësi ka se zgjedhja e saj shënon evitimin e një krize kushtetuese në Kosovë”. Në BE nuk shihet me sy të mirë fakti se ishte dora e ambasadorit amerikan që zgjodhi Presidenten e re të Kosovës. Sipas “Koha Ditore”, në një takim të mbyllur me Peter Feithin javën e shkuar, disa deputetë të Parlamentit Europian janë interesuar të dëgjojnë më shumë për Presidenten e Kosovës. Lidhur me vërejtjen për rolin kaq të madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e kaq të vogël të BE-së në Kosovë, Peter Feith mësohet t’u ketë thënë se “kosovarët ndiejnë se Shtetet e Bashkuara po i mbështesin ata, por nuk e ndiejnë se BE-ja po e bën këtë aq shumë”. Deputetja Doris Pack nga Gjermania ka vërejtur se “BE-ja e ka humbur tashmë rolin në Kosovë, sepse gjithçka vendos ambasadori Dell me 3 persona”. Edhe Ulrike Lunacek, raportuese për Kosovën në Parlamentin Europian, ka thënë se “tash për tash në Kosovë po vërehet vetëm veprimi i SHBA-së”.

© Panorama.al

Te lidhura