Klement Zguri ka paraqitur sot në Kuvend kërkesën për dorëheqje. Në letrën e dorëheqjes, Zguri argumenton se KQZ ka nevojë urgjente për një drejtues të ri.
Sipas tij, pas shpalljes së datës së zgjedhjeve, situata kërkon një reagim sa më të shpejtë.
“Situata kërkon reagim të shpejtë, sepse zgjedhjet janë shpallur dhe lista e detyrave është tepër e gjatë. Minimalisht anëtarët duhet t’i kthehen detyrës, maksimalisht organet e reja drejtuese duhet të zgjidhen menjëherë. Me cilësinë dhe përgjegjshmërinë e titullarit të institucionit unë kam identifikuar instrumentin e dorëheqjes si një instrument sensibilizimi për nevojën urgjente për veprim. KQZ ka nevojë për drejtimin e ri një orë e më parë. Deri atëherë anëtarët e KQZ që përfaqësojnë shumicën në komision kanë nevojë të tregojnë përkushtuam dhe ti qëndrojnë punëve në krye sepse ata janë shumicë”, thuhet në kërkesën për dorëheqje.
Mësohet se Zgurit i përfundonte mandati si kryetar i KQZ më 3 nëntor të këtij viti. Zguri u emërua në këtë post pas marrëveshjes së 17 majit 2013 mes kryeministrit Rama dhe kreut të opozitës Basha. Më parë ai ishte anëtar i KQZ-së.












