Ish-kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel pranoi gabimet e bëra nga qeveritë e saj, kryesisht në çështjet e mbrojtjes, klimës dhe imigracionit.
“Duke parë prapa, nuk ishim mjaftueshëm të shpejtë”, tha Merkel në një intervistë, duke iu referuar objektivit të NATO-s për shpenzime mbrojtëse prej 2% të PBB-së.
“Edhe pse buxheti i mbrojtjes ishte rritur, rritja nuk ishte mjaftueshëm e shpejtë dhe kjo ishte një dobësi”, shtoi ajo dhe argumentoi se “vendimet e marra në atë kohë ishin të përshtatshme për situatën e sigurisë në atë kohë”.
Ish-kancelarja pranoi gjithashtu mangësi në politikën e mbrojtjes së klimës.
“Nuk mund të them se bëmë mjaftueshëm në krahasim me atë që ishte e nevojshme”, tha ajo, ndërsa foli edhe për vonesat në fushën e dixhitalizimit.
“Ne ishim shumë të ngadaltë”, tha ajo.
Në fushën e politikës së migracionit, Merkel mbrojti vendimet e saj, duke vënë në dukje se “ne arritëm shumë, por sigurisht që nuk i arritëm të gjitha 100%, gjë që pritej, duke pasur parasysh numrin e madh të migrantëve që mbërrijnë në Gjermani çdo ditë”. Megjithatë, ajo tha se marrëveshja BE-Turqi kishte ulur ndjeshëm numrin e mbërritjeve.
E pyetur në lidhje me politikën e emigracionit që ndjek qeveria aktuale, Merkel përsëriti se ajo i hedh poshtë kontrollet kufitare, por vlerësoi Bashkimin Evropian, i cili, siç tha ajo, ndërkohë ka bërë përparim të vërtetë, kryesisht në bashkëpunimin midis shteteve anëtare.
Ish-kancelarja pranoi gjithashtu se politika e saj për refugjatët kontribuoi në ngritjen e Alternativës për Gjermaninë (AfD).
© Panorama.al












