Një 54-vjeçar është arrestuar nga policia në Kurbin, pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italianë për trafik lëndësh narkotike.
Ai rezulton i dënuar me mbi 7 vite burg për trafikim të lëndëve narkotike dhe kanosje. Vijojnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi në Itali.
Njoftimi i plotë:
Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale faza e 95-t e operacionit të koduar “Operacionalja”.
I dënuar në Itali me mbi 7 vjet burgim për trafikim të lëndëve narkotike dhe kanosje, kapet në Kurbin dhe arrestohet me qëllim ekstradimi 54-vjeçari.
Si rezultat i informacionit të siguruar mbi vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, menjëherë u organizua dhe u finalizua nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale operacioni i koduar “Operacionalja 95”.
Gjatë operacionit, shërbimet e DFPO-së kapën në Kurbin shtetasin Gjin Nikollaj, 54 vjeç, banues në Laç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi autoritetet gjyqësore italiane e kanë dënuar me 7 vjet e 2 muaj burgim për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Kanosja”.
Vijojnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi në Itali.
© Panorama.al












