Këshilli i Europës u bën thirrje forcave politike në Tiranë të bashkëpunojnë dhe të ndërtojnë marrëdhënie konstruktive, si kusht për një qeverisje të mirë. Më shumë se pesë muaj pas zgjedhjeve lokale të mbajtura në vendin tonë, Kongresi i Autoritetit Rajonal dhe Lokal i Këshillit të Europës diskutoi dhe më pas miratoi me 88 vota pro një rezolutë të hartuar nga raportuesi i Partisë Popullore, Volkram Gebel.
Rekomandimet
Në raportin prej 14 faqesh theksohet se “Kongresi u bën thirrje autoriteteve lokale dhe rajonale shqiptare të promovojnë kushtet për një dialog më të mirë politik mes tyre, me qëllimin për të ndërtuar marrëdhënie konstruktive, çka përbën dhe komponentin kryesor të qeverisjes së mirë. Kongresi konfirmon gatishmërinë e tij për të kontribuar si një forum politik që të ngrejë dhe implementojë një plan veprimi postzgjedhor të Këshillit të Europës”. Sipas rezolutës, “Kongresi vendos të zhvillojë dhe forcojë bashkëpunimin me zyrën e OSBE-së dhe ODIHR-it, në kuadër të një plani gjithëpërfshirës dhe të harmonizuar. Kongresi i kërkon Komitetit Monitorues të konsiderojë rezultatet e misionit vëzhgues në përgatitjen e raportit monitorues të demokracisë lokale dhe rajonale në Shqipëri, të planifikuar për vitin e ardhshëm”. Në raportin përfundimtar të votuar dje “Kongresi shpreh keqardhjen për mungesën e dialogut konstruktiv ndërmjet partive dhe përkeqësimin e marrëdhënieve ndërmjet aktorëve politikë, ndërsa në interes të komuniteteve lokale dhe të qeverisjes së mirë, duhen bërë përpjekje për të pranuar të gjitha vendimet konstruktive dhe për të shkuar përtej pozicionet partizane”.
Zgjedhjet
Duke u ndalur te zgjedhjet e 8 majit, raporti flet për një proces zgjedhor transparent, por ku nuk munguan tensionet mes dy koalicioneve kryesore. “Duke marrë parasysh raportin për zgjedhjet vendore në Shqipëri, Kongresi konsideron se zgjedhjet lokale të 8 majit u karakterizuan nga transparenca, por tensionet e përjetuara mes dy koalicioneve kryesore, të fushatës zgjedhore, të cilat duhet të ishin përqendruar në çështjet lokale, u përqendrua kryesisht në politikën kombëtare dhe/ose në akuzat personale mes kandidatëve”, theksohet më tej në raport. Sa u takon detyrave që kishin forcat politike si menaxhuese të procesit, Këshilli i Europës vlerëson se ato nuk e bënë siç duhet punën e tyre. Sipas raportit, Kodi Zgjedhor u jep hapësirë forcave politike të miratojnë me shumicë të thjeshtë disa prej vendimeve. “Një opsion për të ardhmen në lidhje me menaxhimin e zgjedhjeve, mund të jetë krijimi gradual i pavarësisë së anëtarëve të të gjitha komisioneve zgjedhore”, vlerësohet në raport. Dita e votimit vlerësohet si pozitive, ku përfaqësuesit e KiE vunë re faktin se komisionerët ishin të predispozuar të ndihmonin qytetarët që të votonin sa më thjesht. Sipas KiE, kjo atmosferë e qetë ishte në kontrast me situatën e tensionuar parazgjedhore.
Raporti i KiE
. Duke marrë parasysh raportin për zgjedhjet vendore në Shqipëri, Kongresi konsideron se zgjedhjet lokale të 8 majit u karakterizuan nga transparenca, por tensionet e përjetuara mes dy koalicioneve kryesore, të fushatës zgjedhore, të cilat duhet të ishin përqendruar në çështjet lokale, u përqendrua kryesisht në politikën kombëtare dhe/ose në akuzat personale mes kandidatëve.
. Kongresi shpreh keqardhjen për mungesën e dialogut politik, të nevojshëm për një konkurrencë konstruktive dhe besimi mes palëve. Në këtë drejtim, në interes të komuniteteve lokale, duhen bërë përpjekje për të pranuar të gjitha vendimet konstruktive dhe të shkojnë përtej pozicioneve partizane.
. Kongresi u bën thirrje autoriteteve lokale dhe rajonale shqiptare të promovojnë kushtet për një dialog me të mirë politik mes tyre, me qëllimin për të ndërtuar marrëdhënie konstruktive, çka përbën dhe komponentin kryesor të qeverisjes së mirë.
. Kongresi konfirmon gatishmërinë e tij për të kontribuar si një forum politik që të ngrejë dhe implementojë një plan veprimi post zgjedhor të Këshillit të Europës.
. Kongresi vendos të zhvillojë dhe forcojë bashkëpunimin me zyrën e OSBE-së dhe ODIHR-it në kuadër të një plani gjithëpërfshirës dhe të harmonizuar.
. Kongresi i kërkon Komitetit Monitorues të konsiderojë rezultatet e misionit vëzhgues në përgatitjen e raportit monitorues të demokracisë lokale dhe rajonale në Shqipëri, të planifikuar për vitin e ardhshëm.
. Kongresi shpreh keqardhjen për mungesën e dialogut konstruktiv ndërmjet partive dhe përkeqësimin e marrëdhënieve ndërmjet aktorëve politikë, ndërsa në interes të komuniteteve lokale dhe të qeverisjes së mirë, duhen bërë përpjekje për të pranuar të gjitha vendimet konstruktive dhe për të shkuar përtej pozicionet partizane
Hartuesi i raportit: Rama influencoi garën
Hartuesi i raportit të miratuar dje, Volkram Gebel, tha në një prononcim për mediat, në përfundim të votimit, se kandidimi i Ramës për kryetar të Bashkisë së Tiranës influencoi garën e 8 majit. “Ne kemi vërejtur një situatë të veçantë, pasi nuk është normale që një kryetar bashkie të jetë lideri i Partisë Socialiste apo të jetë në krye të opozitës. Pra, është një rast i veçantë gjithashtu sepse Tirana është shumë e rëndësishme për Shqipërinë. Kjo influencoi të gjithë procesin. Dua të theksoj se në opinionin tim, problemi kryesor ishte numërimi i gjatë dhe pastaj kishte një rezultat shumë të ngushtë midis dy kandidatëve në Tiranë, kështu që kjo nuk i bëri gjërat të mos ishin të thjeshta”, tha Volkram Gebel për “ABC News”.
Numërimi në Tiranë
Sa i përket procesit të numërimit, në raport thuhet se “në shumicën e komunave dhe bashkive numërimi vazhdoi ngadalë, por në mënyrë transparente. Mediat informuan vazhdimisht publikun mbi procesin e numërimit dhe ai ishte i informuar si duhet hap pas hapi për rezultatet. Numërimi jashtë Tiranës zgjati pesë ditë dhe përfundoi të premten, më 13 maj. Në të kundërt, në Tiranë, centralizimi i numërimit ishte origjina e tensioneve. Veprimet e KQZ-së minuan besimin në aftësinë e saj për të funksionuar në mënyrë të paanshme dhe të pavarur. Së fundi, pas 7 javësh mosmarrëveshjesh, KQZ deklaroi Lulzim Bashën fitues të garës për kryetar Bashkie në Tiranës me një avantazh prej 93 votash”.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











