“KFOR u vetëmbrojt, s’ka nevojë për hetime”

Oct 3, 2011 | 17:30
Anders Fogh Rasmussen

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, tha sot në Bruksel se nuk ka nevojë për hetime të veçanta për veprimet e pjesëtarëve të KFOR-it në pjesën veriore të Kosovës.

“I kam marrë raportet dhe kam biseduar me presidentin Tadiç. U kam ofruar serbëve informacione nëpërmjet kanaleve të zakonshme ushtarake”, tha Rasmusen duke theksuar se “trupat e KFOR-it qartazi kanë vepruar në vetëmbrojtje”.

Këto komente ai i bëri në konferencën për shtyp në Bruksel, para mbledhjes së ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s.

Ai theksoi se ministrat do të diskutojnë për Kosovën dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve, që “t’u shmangen aksioneve të njëanshme dhe mesazheve nxitëse”.

“I ftoj të gjithë që të angazhohen për dialog, e jo për konflikte, pasi ardhmëria e sigurt dhe stabile është në interes të të gjithjë njerëzve në Kosovë”, tha Rasmusen.

Rasmusen theksoi se “KFOR-i edhe më tej do të “garantoja siguri dhe do t’i mbroj të gjithë njerëzit, pa marrë parasysh kombësinë, tërësisht në mënyrë të paanshme, në harmoni me mandatin e OKB-së”.(rel)

© Panorama.al

Te lidhura