Kërkesa për para, rritet interesi i bonove të thesarit

Apr 14, 2011 | 10:04

Rritja e shpenzimeve të qeverisë në këtë vit elektoral ka ndikuar direkt në kërkesën e kësaj të fundit për para në tregun vendas, çka është shoqëruar me rritjen e interesit të bonove të thesarit me afat 1-vjeçar.Nëse u referohemi të dhënave të Ministrisë së Financave, bonot e thesarit me afat 12-mujor kanë pësuar një rritje të vazhdueshme të interesit, duke filluar nga janari i këtij viti deri në datën 12 prill, kur është zhvilluar edhe ankandi i fundit. Edhe pse rritja nuk ka qenë në nivele të larta, por afërsisht një për qind, referuar periudhës më shumë se 3-mujore, vlerësohet tendenca, e cila ka qenë në rritje të vazhdueshme. Kështu, nëse në javën e dytë të janarit qeveria ka marrë borxh nga bankat e nivelit të dytë nga shitja e bonove me interes 6.83 për qind, në fund të marsit ajo ka shitur bonot me interes 7.35 për qind dhe në muajin prill ka shitur bono me interes 7.41 për qind. Por, si kanë ndryshuar normat e interesit për bonot javë pas jave, nga njëri ankand në tjetrin? Për javën e dytë të janarit, sikurse theksuam, bonot u shitën me interes 6.83 për qind. Për ditën e parë të shkurtit, kur është zhvilluar ankandi i radhës, interesi i bonove të thesarit ka shkuar 6.88 për qind. Këtu vihet re një rritje pothuajse e pandjeshme, me 0.02 për qind. Në ditën e parë të muajit mars, kur është zhvilluar ankandi i radhës, rritja ka qenë më e dukshme sesa më herët. Bonot e thesarit kanë kapur normën 7.19 për qind. Ky ndryshim është dukshëm më i lartë sesa interesi paraardhës për bonot 12-mujore. Në javën e tretë të marsit, interesi i bonove ishte 7.27 për qind dhe në javën e fundit të marsit, 7.35 për qind. Por ritmi i rritjes nuk ka kufizuar vetëm marsin. Edhe për prillin ka vazhduar kjo rritje dhe në datë 12 prill, interesi i bonove ka arritur 7.41 për qind. Rritja e interesit të borxhit që qeveria merr nga bankat në vend është një reflektim i disa faktorëve së bashku, të lidhur zinxhir. Rritje shpenzimesh në një vit elektoral, zgjedhja për të mos dalë në tregjet e huaja për shkak të pasigurive që ka në tregjet e kapitalit, risqet që shoqërojnë ekonominë gjatë pasigurive politike. Në fakt, rritja e interesit të borxhit për muajin prill është disi reflektim edhe i masës që mori Banka e Shqipërisë për të rritur normën e interesit të lekut me 0.25 pikë përqindje, duke e çuar atë në nivelin 5.25 për qind. Të mbledhura në të vetme, të gjithë këta faktorë tregojnë se rritja e interesit për borxhin e qeverisë po kthehet në një tendencë për vitin 2011, edhe pse për momentin rritja nuk është në nivele të larta. Por rritja e interesit të borxhit do të thotë depozita dhe kredi më të shtrenjta.  Nëse në treg do të ketë më pak para, pasi qeveria do të kërkojë të plotësojë deficitin e saj në tregun e brendshëm, kreditë do të jenë më të ndejshme për të pasur një interes të lartë dhe po kështu edhe depozitat. Themi kreditë fillimisht sepse kjo është edhe pika ku qytetarët dhe bizneset janë më të ndjeshme, pasi interesi është çështja kryesore për të vendosur nëse mund të merret një kredi apo jo.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura