“Kërkesa e vetme është “DORËHEQJA!”- Gazetari zbulon organizatorët e vërtetë të protestës që mbush sheshin para kryeministrisë: Shpopullimi, prona private dhe rinia shqiptare…

Jun 7, 2026 | 19:00

Në protestën që po zhvillohet në Tiranë kundër qeverisë dhe ndërtimeve në Zvërnec, gazetari Klevin Muka i është bashkuar tubimit përpara kryeministrisë, ku ka renditur “organizatorët” e protestës dhe ata që “detyruan” qytetarët të dilnin në shesh.

Sipas tij, ndër “organizatorët” kryesorë janë “shpopullimi”, “prona private” dhe “rinia shqiptare”.

Ai përmendi gjithashtu “fëmijët”, “drejtësinë”, “shëndetësinë”, “arsimin”, “bujqësinë”, “pensionistët” dhe “minatorët e naftëtarët”, duke i konsideruar si shtresa dhe sektorë të prekur nga problemet sociale dhe ekonomike në vend.

Gazetari theksoi se kërkesa kryesore e protestës mbetet një dhe e vetmja, dorëheqja e qeverisë.

“Këto janë 10 nga qindra organizatorët e kësaj proteste. Grupi organizator ka katër pika shumë të rëndësishme, e para është “DOREHEQJA”. E dyta është “DOREHEQJA”, të tretën e merrni me mend që është “DOREHEQJA” dhe të katërtën po ua lë ju ta thoni: “DOREHEQJA””, tha ai.

Klevin Muka:  Duke qenë se të gjithë kanë kërkuar emrat e grupit organizator, ky është momenti. I pari është një djalë që ndoshta e ka arritur pjekurin 35-vjeçar, që është ulur këmbëkryq në çdo familje shqiptare dhe quhet “SHPOPULLIM”. Organizatori i dytë, që ka arritur të mbledhë kaq shumë njerëz në shesh për herë të parë në histori, është një problem që gjithashtu është në çdo familje shqiptare, edhe ai është 35-vjeçar dhe quhet “PRONA PRIVATE”.

I treti dhe më i rëndësishmi nga organizatorët është shpirti i këtij organizimi, quhet “RINIA SHQIPTARE”.

Janë edhe të paktën shtatë të tjerë, po i themi me radhë. Të katërt janë “FËMIJËT TANË”, për të cilët kemi dalë në këtë shesh. Jam krenar për çdo prind që ka dalë këtu për ata fëmijë, që u duhet për orë të tëra të lëvizin me makinë për të gjetur një vend për të luajtur jashtë Tiranës, sepse këtu është betonizuar. Mamatë kalojnë me vështirësi nëpër këto trotuare. Bravo për të gjithë prindërit që janë këtu, fëmijët tanë besoj se do jenë krenarë.

I pesti më pas është një zonjë për nga mosha, por jo për nga karakteri. Është një zonjë që ka lënë në pritje të paktën 160 mijë familje që presin me vite për një vendim drejtësie. “DREJTËSIA” është një nga arsyet e kësaj proteste. Shqiptarët nuk mund të presin 10–15 vite për të marrë të drejtën e tyre.

I gjashti, nëse më parë njerëzit uronin të kenë shëndet, sot urojnë “mos shkofsh nëpër spitale”, sepse sistemi shëndetësor është një tmerr i vërtetë që mos e vraftë as hasmi.

I shtati në listë është më i rëndësishmi: “ARSIMI”. Duam arsim cilësor. I teti është “BUJQËSIA”, janë fermerët, dhe ata duhet të jenë këtu. Duhet t’u afrojmë kushtet minimale për të prodhuar; ne themi turizëm, por nuk mund ta kemi pa bujqësinë.

Tani, edhe dy pikat e fundit. Të nëntët janë “PENSIONISTËT”, të bëjmë këtë luftë për gjyshërit tanë. 550 mijë pensionistë shqiptarë marrin më pak se 200 mijë lekë të vjetra në muaj. E fundit: “MINATORËT, NAFTËTARËT”, ata që kanë dalë nga shtëpitë e tyre pa e ditur nëse do kthehen dhe sot janë në mëshirë të fatit.

Këto janë 10 nga qindra organizatorët e kësaj proteste. Grupi organizator ka katër pika shumë të rëndësishme, e para është “DOREHEQJA”. E dyta është “DOREHEQJA”, të tretën e merrni me mend që është “DOREHEQJA” dhe të katërtën po ua lë ju ta thoni: “DOREHEQJA”.

© Panorama.al

Te lidhura