Një emigrant shqiptar i ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës mori fjalën në protestën e zhvilluar para Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme dhe pa kushte të Edi Ramës, ndërsa akuzoi edhe Sali Berishën për përgjegjësi në situatën ku ndodhet vendi.
Gjatë fjalës së tij, ai u ndal te roli i emigrantëve shqiptarë, duke theksuar se largimi nga vendi nuk ka qenë një braktisje e atdheut, por një sakrificë e përkohshme me synimin për t’u rikthyer dhe për të kontribuar në zhvillimin e Shqipërisë.
Protestuesi kërkoi bashkimin e qytetarëve kundër asaj që e cilësoi si një pushtet me tipare diktatoriale, ndërsa u shpreh se tranzicioni demokratik i nisur në vitin 1991 ende nuk ka përmbushur pritshmëritë e shqiptarëve.
“Kam ardhur nga Amerika. Dua të kuptoni që nuk kam ikur për të mos u kthyer më në Atdhe. Kështu si puna ime janë edhe emigrantët kudo nëpër botë. Do kthehemi për ta ndërtuar. Të bashkohemi kundër pushteti diktatorial, që nuk e paskemi rrëzuar dot në ’91. I bëj thirrje rinisë të bashkuar. Dorëheqje pa kushte për Ramën e Berishën që janë fajtor për gjithçka ka ndodhur”, tha ai.
© Panorama.al











