“Këpuca e Artë” dhe Kombëtarja, rrëfehet sulmuesja Troka: Ju tregoj sezonin fantastik

Jun 1, 2023 | 13:01

Valentina Troka ka mbyllur një sezon të jashtëzakon shëm në aspektin personal. Ndonëse vetëm 20-vjeçare, sulmuesja e Apolonisë u shpall golashënuesja më e mirë e kampionatit kombëtar të futbollit për femra. 65 gola për futbollisten fierake, e cila zbriti nga froni bomberen e Vllaznisë, Megi Doçi (61 gola). Troka gjithashtu ka veshur edhe fanellën e Kombëtares, teksa i ka treguar menjëherë cilësitë e saj edhe në arenën ndërkombëtare, ku vetëm një muaj më parë do të realizonte dopietë brenda pak minutave kundër Maqedonisë së Veriut.

valentina troka

Në një intervistë për “Panorama Sport”, lojtarja e talentuar e Apolonisë ka rrëfyer karrierën e saj, duke nisur që nga hapat e parë në futboll dhe deri te çmimi i “Këpucës së Artë”. Troka ka komentuar me doza ironie edhe polemikat për titullin e golashënueses, ndërsa ka zbuluar gjithashtu edhe idhullin e saj në futbollin e meshkujve, i cili është gjiganti suedez, Zlatan Ibrahimoviç.

apolonia femra

Valentina, si ju ka lindur pasioni për futbollin dhe si erdhi zgjedhja për t’u bërë futbolliste?

Që nga fëmijëria kam pasur një pasion të madh për futbollin, ku falë këmbënguljes sime si dhe mbështetjes së familjes unë u regjistrova në ekipin e Apolonisë, skuadër ku vazhdoj të luaj edhe sot.

Sa vjeç keni debutuar me të rriturat?

Isha vetëm 16 vjeç kur zhvillova kampionatin tim të parë me skuadrën e të rriturave të Apolonisë.

Ndonëse në moshë shumë të re, vetëm 20 vjeç, jeni shpallur së fundmi golashënuesja më e mirë e kampionatit. Si ndiheni pas fitimit të “Këpucës së Artë”?

Për mua është një privilegj të fitoj një titull të tillë për të përmbushur objektivat e mia të futbollit në një moshë të re. Ka qenë e rëndësishme të kisha një përkushtim të madh në stërvitje dhe të jepja gjithmonë maksimumin në fushën e lojës në çdo ndeshje.

valentina troka

Keni ndonjë dedikim për këtë sukses?

Këtë sukses unë ia dedikoj familjes sime, të cilët më kanë ndihmuar me përkrahjen dhe përkujdesjen e tyre, ndërsa pjesa tjetër sigurisht u dedikohet vajzave të ekipit, që më kanë mbështetur në çdo moment për të arritur këtë objektiv.

Cilin do të zgjidhnit si golin e preferuar…?

Janë disa gola të preferuar, ndër të cilët dy janë ata të realizuar me Kombëtaren brenda 10 minutave gjatë aktivizimit në ndeshje kundër Maqedonisë së Veriut. Por bazuar në serinë e golave si golashënuese e kampionatit do të veçoja golin e barazimit kundër Vllaznisë në Fier.

Ndërkohë rivalja juaj në garën e golashënueses, Megi Doçi, ka akuzuar presidentin e Apolonisë dhe pretendon se e meritonte ajo “Këpucën e Artë”. Cili është komenti juaj…?

Nuk dua të jap një koment të tejzgjatur për atë deklaratë, por i uroj Megit suksese në karrierën e saj, pse jo jashtë Shqipërisë, aty ku gara është e pastër dhe “Njerëzit si Koço Kokëdhima nuk ekzistojnë” për Megin.

Si do ta përshkruani futbollin e femrave në Shqipëri?

Futbolli i femrave është një fenomen në rritje, duke parë krijimin e ekipeve të moshave, të cilat duhen të zgjerohen edhe në qytete të tjera. Mendoj se duhet të ketë më shumë mbështetje për të pasur cilësi dhe vazhdimësi.

Ju jeni gjithashtu pjesë e Kombëtares së parë. Si është të veshësh fanellën kuqezi?

Është një emocion dhe eksperiencë të cilën e kam ëndërruar që në fëmijëri. Shpresoj të jap kontributin tim për fanellën kuqezi sa herë do të më jepet mundësia të aktivizohem në lojë.

valentina troka

E ndiqni futbollin e meshkujve? Për cilën skuadër bëni tifo në Shqipëri?

Duke qenë pjesë e futbollit më jepet mundësia të jem më pranë ekipeve të meshkujve. Skuadra për të cilën bëj tifo, sigurisht është Apolonia dhe dua ta shikoj në elitën e Superiores shqiptare.

Po për sa u përket skuadrave të huaja?

Skuadra për të cilën unë bëj tifo në kampionatet e huaja të futbollit është Milani.

Kush është futbollisti i preferuar i Valentina Trokës?

Futbollisti im i preferuar është Zlatan Ibrahimoviç, një shembull për brezat e rinj, i cili falë punës dhe talentit është një ndër lojtarët më të mirë në botë.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al

Te lidhura