“Kemi rrugët më të shtrenjta në botë!”- Igli Cara: Kemi filluar denoncimet në SPAK dhe KQZ, do të mbrojmë votën e qytetarëve

Apr 9, 2025 | 15:25

Kandidati i PD-së për deputet në Qarkun e Durrësit, Igli Cara deklaroi në studion e News 24 se qeveria e ka çuar vendin në rrënim ekonomik, duke rrezikuar ekzistencën e kombit prej shpopullimit dhe largimit të shqiptarëve.

igli cara

Cara u shpreh se në harresë janë lënë dhe pensionistët dhe janë me minimum jetik të papërballueshëm.

“Një parti në shërbim të një njeriu. Qytetarët nuk kanë marrë asgjë nga ajo çka presin. A mund të votohet më Rama pas 12 viteve pas rrënimit ekonomik. Shpopullimi akoma më i frikshëm. Është në rrezik gjithë Shqipërinë, rrezikon të shkojmë nën 1 mln banorë. Bëhet fjalë për ekzistencën e një kombi.”- tha ai.

Sipas Carës, “më vonë do të kemi një Shqipëri që nuk do të popullohet më nga shqiptarët. Kjo është dramë. Kur them se kemi ekonomi të dobët. Janë ato para që mblidhen nga taksapaguesit shqiptarë. A janë kthyer këto para në shërbime? Nuk ka ndodhur ky fenomen. Pensionistët janë lënë në harresë dhe janë me minimum jetik të papërballueshëm. Ka nga ato që marrin ndihmë sociale 50 mijë lekë.”

Cara premton se PD në pushtet do vendosë minimum jetik 200 euro për pensionistët.

“A mund të themi që qeveria ka punuar mirë? Shohim që paratë publike janë 1.1 mld të shpërdoruara brenda një viti.

Premtojmë të rikthejmë dinjitetin. Programin tonë e quajmë të domosdoshmërisë. Çdo pensionist do ketë minimumin jetik 200 euro. Do kemi dhe një pjesë që do shtohet nga TVSH me kartën e pensionistët.”

Sakaq, Cara mori shembullin e projektit të Al Abbar për portin e Durrësit, që siç thotë ai një pasur 3 mld euro qeveria shqiptare e fali.

“Kemi sot rrugët më të shtrenjta në botë. Kemi rrugë që kushtojnë 23 mln euro. Tuneli i Llogarasë janë shtuar 50 mln euro për një kompani. Kemi një port të falur të Durrësit. Me vlerë 3 mld euro. Kemi një port të ri të dhënë për ndërtim.

Këtë pasuri kombëtare të të gjithëve nuk do ishte mirë që të pyeteshin të gjithë. Si mund të vish dhe të bësh investim të madh, kur janë paratë publike të një populli të varfër. Nëse do bësh një pjesë për jahtet, pse duhet dhënë për ndërtim? Ka ndonjë ndërtim që merret vlera e pronës pas 20 vitesh? Interesi është personal i tëri i zotit Rama dhe grupit të tij. Vjedhja më e madhe në Ballkan. Keni parë ndonjë vend tjetër në Ballkan të bëhet kjo? Al Abbar u tërhoq nga Mali i Zi.

Atje ka përgjegjshmëri më të madhe. Kush po e ndërton de facto portin e Durrësit? Po e ndërtojnë shqiptarët. Pse mos të ishte fitimi i tëri për shqiptarët? Besoj se në një moment drejtësia do tregohet në nivelin e duhur. Është një pasuri kombëtare që na dhemb të gjithëve. Si mund ta falësh? Duhet të jesh i verbër dhe të thuash do jetë me leverdi për Shqipërinë”, thekson kandidati demokrat.

Demokrati hodhi kritika edhe për humbjen e fondeve nga IPARD për shkak të korrupsionit qeveritar.

“Rama premton pasaportën europiane dhe përfitime deri në 1 mld euro. Vetëm nga korrupsioni humbën fondet e IPARD. Sot nuk marrim asnjë subvencion. Vetëm prej korrupsionit. Ky banalitet është të tallesh me shqiptarët. Duhet të thotë çfarë ka bërë këto 12 vite. Përfaqësuesit e mazhorancës nuk përballen me përfaqësuesit e opozitës, fshihen”, thotë Cara.

Së fundmi ai tregoi synimin e PD-së për zgjedhjet dhe për mandatet në qarkun e Durrësit.

“Synimi është që të vijmë në mazhorancë. Për Durrësin objektivi të kalojmë 8 mandate. Mendoj se nuk ka asnjë tregues ta nxjerrë fitues PS. Do mbrojmë votën e qytetarëve. Ka një grup kriminal që intimidon administratën. Kemi filluar denoncimet në SPAK dhe KQZ. Këtë muaj kanë filluar të bëhen rrugë elektorale pa u bërë kanalizimi. Kemi sinjalizime që vijojnë ofertat për blerje votash”, përfundoi ai.

© Panorama.al

Te lidhura