KE: Kartat e identitetit, pasoja për zgjedhjet lokale dhe për vizat

Apr 7, 2011 | 11:51

Komisioni Europian zbardh diskutimet pas takimit të dytë të MSA-së, ku ishte edhe Shqipëria. Natasha Butler, zëdhënëse e komisionerit Shtefan Fyle, vlerësoi arritjet e deritanishme të qeverisë shqiptare, ndërsa e konsideroi si të vështirë pajisjen e qendrave të votimit me aparate verifikimi për kartat e identitetit. “Çështja e liberalizimit të vizave u diskutua dhe Komisioni lavdëroi autoritetet shqiptare për progresin e shënuar vitin e kaluar, gjë që çoi në vendimin e nëntorit për liberalizimin e vizave. Por Komisioni tregoi se është po aq e rëndësishme që masat në blloqet e ndryshme të Udhërrëfyesit që çoi në liberalizimin e vizave, të vazhdojnë të zbatohen. Kjo, sepse nëse do të kishte ndonjë problem që do të zbulohej më vonë në lidhje me kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike, kjo gjë nuk do të kishte pasoja vetëm për zgjedhjet lokale, të cilat zhvillohen në maj, por kjo do të ndikonte edhe në regjimin e lëvizjes pa viza. Në lidhje me zgjedhjet lokale, pala shqiptare bëri një numër të caktuar komentesh dhe Komisioni mirëkuptoi faktin që pajisja me aparate të tilla në të gjithë territorin e vendit për zgjedhjet lokale, e gjitha kjo vetëm një muaj para tyre, do të ishte e vështirë të arrihej”. Ndërkaq, zëdhënësja e komisionerit Fyle ka lavdëruar autoritetet shqiptare në lidhje me reduktimin e taksës së prodhimeve të importuara, për reformën fiskale e politikën monetare dhe çështjen e romëve, ndërsa për stabilitetin makroekonomik, ajo theksoi se “Shqipëria duhet të bëjë më shumë për të përmbysur tendencën në rritje të borxhit në raport me Produktin e Brendshëm Bruto”.

© Panorama.al

Te lidhura