Katar, Grupi i Kontaktit: Gedafi, jo më lider i Libisë

Apr 14, 2011 | 9:02

Grupit i ri i Kontaktit mbi Libinë, një organ i cili u formua pas Konferencës Ndërkombëtare të Londrës për Libinë, ka bërë thirrje për largimin e Muamar Gedafit si lider i vendit.Takimi i parë i këtij grupi u zhvillua në Doha të Katarit, vendi i parë afrikan që “tradhtoi” Gedafin, duke njohur zyrtarisht, pas Francës, qeverinë rebele të opozitës. Thirrja për dorëheqjen e Gedafit erdhi si deklaratë finale e lexuar nga kryeministri i Katarit. Sheik Hamad bin Jasem bin Jabër Al Thani tha se pjesëmarrësit ranë dakord se regjimi i Gedafit tashmë është “i dobët”. Delegatët u takuan në Katar, ku rebelët e pranishëm kërkuan rrëzimin e kolonel Gedafit, duke shënuar paraqitjen e parë të tyre në rang të lartë diplomatik. Ndërkohë, kritikat e Britanisë dhe Francës në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së për Libinë janë hedhur poshtë me këmbëngulje nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen. “Nuk jam aspak dakord me deklaratat se NATO-ja po vepron me ngadalë”, tha Rasmusen në një konferencë për shtyp në Doha të Katarit. Deklarata e Rasmusen u bë ndërsa po zhvillohej takimi i Grupit të Kontaktit për Libinë. Sipas kreut të NATO-s, “Operacionet tona do të përfundojnë, kur të mos ketë më kërcënime për civilët në terren”. Një ditë më parë, ministri i Jashtëm i Francës, Alan Jupe, i mbështetur nga ministri i Jashtëm i Britanisë së madhe, Uilliam Hague, kërkuan që NATO të bëjë më shumë përpjekje kundër forcave të Gedafit në Libi, duke e akuzuar atë për një përgjigje të ngadaltë ndaj sulmeve që kërcënojnë civilët. Por thirrja e tyre ka dështuar pasi Aleanca Veriatlantike ka vendosur të vazhdojë planin e saj, ashtu siç e kishte parashikuar edhe më parë. Sipas NATO-s, sulmet janë të mjaftueshme dhe do të vazhdojnë sipas situatës. Ndërkohë në Libi situata mbetet mjaft e tensionuar. Pas refuzimit të armëpushimit prej rebelëve, pasi në paktin e Unionit Afrikan të ofruar një ditë më parë nuk ishte përmendur dorëheqja e Gedafit dhe familjes së tij, luftimet vazhduan të ashpra në Misrata dhe Aydabiya. Këto dy qytete, të cilat ndodhen si pengesat e fundit për të shkuar në Tripoli dhe Benghazi, janë kthyer në simbole të rezistencës libiane.

Qindra arrestime në Siri

Autoritetet siriane kanë arrestuar mbi 200 banorë të qytetit Bania, në përpjekje për të ndërprerë protestat, sipas “Reuters”. Qyteti bregdetar është shndërruar së fundmi në një qendër të lëvizjes antiqeveritare, megjithatë Presidenti Bashar al Asad nuk do të tërhiqet. Forca të shumta sigurie dhe të shërbimit sekret janë vendosur edhe në rrugët e qytetit Alepo, qyteti me më shumë sunitë në vend, ku parashikohet të nisin protesta. Asad është pozicionuar si aleat i Iranit dhe një nismëtar i luftës kundër “kolonializmit hebraik”. Në protestat që kanë shpërthyer prej rreth një muaji, më shumë se 200 vetë janë vrarë nga policia.

Jemen, 10 000 oficerë bashkohen me rebelët

Rreth 10 000 oficerë dhe ushtarë jemenas nga Garda e Republikës, Siguria Qendrore dhe Forcat Ajrore kanë dezertuar të mërkurën nga qeveria, duke u bashkuar me protestuesit që kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të Presidentit Ali Abdullah Saleh. Deklarata u bë nga një prej oficerëve për mediat ndërkombëtare në rajon. Dje, agjencia shtetërore e lajmeve, “Saba”, ka cituar një zyrtar të ministrisë së Mbrojtjes, Al-Ahmar, duke thënë se trupat se dezertuan nga Divizioni i Armëve kanë nisur të sulmojnë forcat e sigurisë pro qeveritare.

© Panorama.al

Te lidhura