Kasat, opozita: Të kontrollohen tarifat e mirëmbajtjes së pajisjes

Apr 6, 2011 | 9:58

Instalimi i pajisjes fiskale nuk është e vetmja kosto për biznesin, pasi edhe mirëmbajtja do ta ketë një të tillë, veçse opozita kërkon që tarifat që zbatohen nga kompanitë, të jenë të kontrolluara.Gjatë diskutimit të ndryshimeve në ligjin “Për procedurat tatimore” në Komisionin e Ekonomisë, deputeti Erion Braçe ngriti si shqetësim faktin që biznesi do të ketë një kosto shtesë për të mirëmbajtur pajisjen dhe për këtë duhet të jetë Ministria e Financave ajo që miraton tarifat, dhe jo t’i lërë ato në dorë të kompanive të certifikuara. “Në ligjin që kemi para, vendosen gjoba për kompanitë që do të ofrojnë shërbimin e mirëmbajtjes së këtyre kasave fiskale. Këtu u tha që në një nen tjetër ulen kostot administrative të biznesit për t’u regjistruar. Po tarifat e tyre të shërbimit i ka parë kush? Për shembull, mua më kanë ardhur nja dy-tre kupona që tarifat e shërbimit, çdo tre katër muaj, shkojnë si kosto për biznes në shifra shumë të këndshme. I kontrollon kush tarifat e shërbimit të tyre, i kanë të miratuara, apo jo”, u shpreh Braçe. Sipas llogaritjeve, shërbimet e mirëmbajtjes për pajisjet fiskale kryhen minimalisht dy herë në vit, me një kosto afërsisht 5 mijë lekë, që sipas kategorisë së biznesit mund të konsiderohet e lartë ose e ulët. Kjo problematikë u ngrit në diskutimin e ndryshimeve që i janë bërë ligjit të tatimeve, me synim uljen e evazionit fiskal. Në total, ligji përfshin një rritje të gjobave për ata që shkelin ligjin, duke parashikuar edhe sekuestrim të mallit për bizneset që gjenden të paregjistruara. Në çështjen e gjobave, deputeti Selami Xhepa propozoi që të ngushtohet diferenca nga minimumi i gjobës tek maksimumi, duke u përafruar tek kjo e fundit në mënyrë që të mos lihet vend për abuzime. Ndërkaq, një tjetër debat ishte ai për sigurimet. Edhe një herë, opozita ngriti si shqetësim faktin që për disa biznese raportimi i çdo punonjësi nuk mund të bëhet menjëherë, pasi fillimisht ka një periudhë stazhi. “I keni parasysh këto bizneset e fasonit që janë të detyruar të marrin në punë njerëz, për t’i mësuar në radhë të parë. Tani, në rast se ju i gjeni këta njerëz në ambientet e punës dhe që janë aty për të mësuar këtë zanat, ata gjobiten, apo jo dhe si mund të zgjidhet kjo?”, ngriti si shqetësim deputeti i PS-së, Erion Braçe. Sipas ligjeve në fuqi, lidhur me këtë pikë deputeti i PD-së, Florion Mima, shpjegoi se nxënësi i biznesit të fasonit apo tjetër duhet të jetë minimalisht i siguruar për aksidentet në punë. “Minimalisht ai duhet të jetë dy muaj i siguruar vetëm për aksidentet në punë, 0.5 për qind të pagës. Një ditë para se të vijë si nxënës, duhet të njoftojë dhe e kemi bërë që kjo të lajmërohet vetëm me e-mail”, tha Mima. Pas diskutimeve projektligji u miratua në parim e nen për nen në Komision dhe u kalua për seancë plenare.

Debate në Komisionin e Ekonomisë

Erion Braçe: Këtu te neni 19 thuhet që nëse nga verifikimet dhe kontrolli në vendndodhjen e biznesit nga kontrolli i tatimpaguesit nga organet tatimore, rezulton se tatimpaguesi nuk ka deklaruar në organet tatimore për çdo të punësuar rishtazi, të paktën një ditë kalendarike para fillimit të punës, atëherë merr gjobë etj. I keni parasysh këto bizneset e fasonit që janë të detyruar të marrin në punë njerëz për t’i mësuar në radhë të parë. Tani, në rast se ju ja gjeni këta njerëz në ambientet e punës dhe që janë aty për të mësuar këtë gjë, zanat, të qepin, siç punojnë ata, gjobiten, apo jo dhe si mund të zgjidhet kjo?
Edmond Spaho: Kjo është e qartësuar me ligj. Gjithsesi, fasoni nuk duhet të mbajë nën maskën e nxënësve punonjës të pa raportuar.
Ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore janë të lidhura me amnistinë. I keni konsultuar me biznesin këto ndryshime?
Arjana Dyrmishi: Po, janë zhvilluar diskutime në Këshillin Konsultativ të Biznesit dhe ka pasur goxha debat lidhur me këto ndryshime.
Ilir Bejtja: Fakt është që, pavarësisht ndryshimeve në ligjin për tatimet, ne kemi prodhuar informalitet të madh. Unë jam i bindur plotësisht që sistemi që ne kemi është ai që gjeneron informalitet, nuk është as niveli i taksave që përdorim dhe as tipologjia e taksave, por procedurat tatimore.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura