Një 51-vjeçar nga Fieri, i dënuar me pushkatim për vrasjen e një gruaje në vitin 1988, u arrestua mëngjesin e djeshëm në Caserta të Italisë.Arrestimi është kryer me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë për vuajtjen e dënimit të konvertuar në vitin 1989 nga dënim me vdekje, në 25 vjet burg. Alit Nurka, nga fshati Marinëz i Fierit, i shpëtoi arrestimit për 14 vjet rresht, pasi u arratis nga burgu gjatë trazirave të vitit 1997. Pavarësisht se Gjykata e Fierit, me një vendim të datës 1 mars të vitit 1988, e dërgonte Nurkën drejt pushkatimit duke e shpallur fajtor dhe duke dhënë për të dënimin kapital me vdekje, ky vendim nuk u ekzekutua asnjëherë. Pas vendimit të Gjykatës së Faktit, procesi në ngarkim të tij i kaloi të gjitha shkallët e gjyqësorit, derisa në një mbledhje të datës 13 prill të vitit 1989, Kuvendi Popullor i Republikës së Shqipërisë, vendosi që t’i falte jetën Alit Nurkës, që në atë kohë ishte vetëm 24 vjeç. Dënimi kapital me pushkatim u konvertua me 25 vjet burg, duke e shpëtuar në këtë mënyrë nga vrasja Alit Nurkën, i cili pretendonte se kishte vrarë për dashuri, pasi vajza që donte i kishte refuzuar fejesën. Pas vendimit përfundimtar, Nurka qëndroi në qeli për 9 vjet rresht, që duke u llogaritur me ditët e paraburgimit, atij i rezultonte të kishte kryer 11 vjet burg. Ai arriti të rifitonte lirinë gjatë trazirave të vitit 1997, duke u arratisur nga burgu bashkë me qindra të dënuar të tjerë. Gjatë kësaj kohe arriti të kalonte kufijtë e Shqipërisë, për t’u arrestuar mëngjesin e djeshëm në Caserta të Italisë. Ngjarja për të cilën akuzohet 51-vjeçari Alit Nurka ka ndodhur mëngjesin e datës 4 shkurt të vitit 1988, në fshatin e tij, Marinëz, të Fierit, kur kishte shkuar për t’i propozuar për herë të fundit për fejesë vajzës që dashuronte, Rajmonda Gremit. Sipas burimeve nga Policia e Shtetit, refuzimi i vazhdueshëm i vajzës e çoi Nurkën drejt vrasjes së saj, duke e goditur disa herë më thikë. Ai u arrestua duke u akuzuar për “vrasje me dashje për shkaqe të dobëta”, parashikuar nga nenet 84/a, 31/a dhe 25 të Kodit të vjetër Penal të Republikës së Shqipërisë, akuzë që e dënonte me vdekje. Një dekret, nr. 7214 i Kuvendit Popullor, i fali jetën atij, duke ia konvertuar dënimin me 25 vjet burg. Policia e Shtetit njoftoi dje se arrestimi i të shumëkërkuarit erdhi pas hetimit të përbashkët disavjeçar të Interpol Tiranës dhe Interpol Romës.
ETLEVA DELIA











