13 kg drogë në autobusin Gjirokastër-Tiranë

Apr 14, 2011 | 9:57

GJIROKASTËR- Tentonte të transportonte 13 kg drogë të llojit marijuanë nga Gjirokastra në Tiranë me autobusin e linjës, por është zbuluar nga policia dhe ka rënë në pranga. Lajmi bëhet me dije sot nga policia e Gjirokastrës, sipas të cilës është arrestuar shtetasi Ardit Baçja, 26-vjeç. Ai kishte blerë drogën në Lazarat dhe e kishte fshehur mes bagazheve për ta transportuar drejt kryeqytetit.

Gjatë kontrollit të ushtruar në autobus, në bagazhet e pasagjerëve, policia ka zbuluar në një valixhe me rrota sasinë e drogës, të mbështjellë me letër natriban, e cila pas peshimit rezultoi të ishte 13 kg.

“Autobusi së bashku me rreth 25 pasagjerë është shoqëruar në ambientet e drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme dhe u krye ndalimi i 26-vjeçarit Ardit Baçja, lindur dhe banues në Gjirokastër, të cilit ia kishte sjellë lëndën narkotike një person nga fshati Lazarat dhe ai do ta transportonte në drejtim të Tiranës kundrejt pagesës prej 1000 eurosh, duke ia dorëzuar dikujt tjetër”- thonë burimet e policisë.

Ndërkohë që materialet i kanë kaluar për hetime të mëtejshme prokurorisë, policia po heton për bashkëpunëtorët e të riut në këtë trafik.

© Panorama.al

Te lidhura