Kanadaja heq Sirinë nga lista e zezë e shteteve që mbështesin terrorizmin: Në përputhje me vendimin e aleatëve tanë!

Dec 6, 2025 | 16:51

Qeveria kanadeze njoftoi se kishte hequr Sirinë nga lista e shteteve që mbështesin terrorizmin.

siri kanada

Gjithashtu kishte hequr edhe Hayat Tahrir al-Sham (HTS), organizatën që udhëhoqi aleancën e rebelëve islamikë që rrëzuan ish-Presidentin Bashar al-Assad, nga lista e subjekteve terroriste sipas kodit penal kanadez.

Autoritetet informuan se akti u ndërmor “në përputhje me vendimet e fundit të aleatëve”.

“Këto masa janë në përputhje me vendimet e fundit të marra nga aleatët tanë, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ndjekin përpjekjet e qeverisë kalimtare siriane për të promovuar stabilitetin e Sirisë, për të ndërtuar një të ardhme gjithëpërfshirëse dhe të sigurt për qytetarët e saj dhe për të punuar së bashku me partnerët globalë për të forcuar stabilitetin rajonal dhe për të luftuar terrorizmin”, thuhet në një deklaratë nga diplomacia kanadeze.

SHBA-të kanë vendosur marrëdhënie të mira me Sirinë aktualisht dhe me presidentin e vendit, Muhamad Al-Sharaa, i cili javë më parë vizitoi Uashingtonin dhe pati një takim shumë miqësor me presidentin amerikan, Donald Trump në Zyrën Ovale.

Kreu i Shtëpisë së bardhë i ka kërkuar edhe Izraelit që të mos sulmojnë më Sirinë, sepse nuk konsiderohet më vend armiqësor me veprimet e fundit që ka ndërmarrë në luftën ndaj terrorizmit dhe stabilitetit në rajon.

© Panorama.al

Te lidhura