Rreth 46 milionë lekë do të shkojnë për projektin e sistemit të vëzhgimit me kamera të qytetit të Tiranës. Në mars të këtij viti, ish- ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, inauguroi fillimin e këtij projekti ku u lakua edhe fakti që në gjithë kryeqytetin do të instalohen rreth 400 kamera për të monitoruar rrugët, bulevardet, ambientet social-kulturore. Dje, me një vendim të sajin, qeveria ka shtuar në favor të këtij projekti 46 milionë lekë, të cilat shkojnë në programin e Policisë së Shtetit. Në fakt, më shumë sesa një shtesë fondi, kjo është një rishpërndarje fondesh. Pjesën prej 46 milionë lekësh qeveria e ka marrë po nga buxheti i Ministrisë së Brendshme, por që në fillim ishte planifikuar për investimet për rikonstruksionin e godinës së Ministrisë në programin “Planifikim menaxhimi dhe administrim”. Me këtë rishpërndarje, qeveria ka vendosur se projekti i monitorimit të Tiranës me kamera është më imediat sesa rikonstruksioni i godinës së Ministrisë së Brendshme në vend. Projekti i vendosjes së kamerave do të zbatohet fillimisht në Tiranë dhe më pas do të shtrihet më gjerë.











