Kadri Roshi, aktori që “bënte zap” edhe regjisorët! Legjenda e skenës që la pas 216 role të pavdekshme

Feb 16, 2026 | 13:44

kadri roshiKASTRIOT KOTONI

“Artisti i Popullit”, “Nderi i Kombit” Kadri Roshi u nda nga jeta më 6 shkurt të 2007 në moshën 83-vjeçare. Në disa media në kohë të ndryshme kemi shkëputur disa opinione nga figura të njohura të artit shqiptar.

Drita Agolli (Regjisore): “Artist me veti të rralla profesionale inteligjent punëtor, me një sens të hollë e analitik në zbërthimin e veprës dhe të veprimit të personazhit, me një nerv tronditës dhe elektrizues në skenë që e përshkon tërë qenien e këtij individi me potencë dhe gamë aktoreske të admirueshme.

Gëzim Kame (Regjisor): “Kam punuar me Kadriun te ‘Shkallët’ e Ruzhdi Pulahës, një dramë sociale dhe te ‘Tokë e ndezur’, një dramë epike. Është aktori numër ‘Një’, përsa i përket progresit profesional. Aktori më komod i Teatrit shqiptar, i cili shkon drejt figurës artistike, drejt tjetërsimit, duke marrë nga regjia vetëm piketata kryesore”.

Esat Oktrova (Regjisor): “Kadri Roshi është tërë gjallëri në skenë dhe vlimi i tij, ose të ngazëllen ose të përvëlon. Ai është një aktor që vërtetë vlon, por një aktor filozof, meditativ, që niset na arsye të thella shoqërore, klasore, politike etj., për t’u shfaqur masave shikuese deduksione domosdo të nevojshme për t’u përvetësuar, prandaj vlimi i tij është i një cilësie tjetër, që të komunikohet i tëri e të rrëmben njëherësh. Kjo rrjedh ngaqë aktori është një diagnostikues i thellë i rolit që do të interpretojë dhe një mjeshtër i interpretimit artistik të këtij diagnostikimi”.

Esat Mysliu (Kineast) “Për mua Kadri Roshi është sa i vështirë dhe po aq i lehtë. Po s’i përgjigjesh nivelit të tij, ai të vë poshtë, të shkatërron imazhin, pasi duhet që edhe aktorët e tjerë t’i vesh gjithashtu në nivelin e tij. Po a i vë dot që të gjithë? Kadriu është shumë i fuqishëm, i papërballueshëm, një përbindësh, s’e përmban dot asgjë. Ai i ngjan një kali të hazdisur që kur futet në vathën tënde mund të të prishë gjithë kopenë po qe se ti nuk vendos rregull. Pse? Sepse energjia e tij është aq e madhe, saqë të duhet si ta drejtosh, si ta miradministrosh. Ai mund të ngjitet me njëherë shumë lart, ndërsa të tjerët mund të mbeten shumë poshtë. Kadriun e bën zap vetëm një regjisor që është në nivelin e tij, ndryshe ai bën vetë regjinë e vetvetes”.

Profesor. Dr. Josif Papagjoni: “Kur njeriu në gjallje prek me duart e tij lavdinë nëpërmjet një pune të gjatë e të mundimshme, kur kjo lavdi nis e u lezetohet sysh edhe atyre që ja falën plot dashuri, me duartrokitje e blatime, kur ajo dëshmohet deri si aftësi, shenjë, genium i mbarë një kombi, atëherë ky njeri gati mitimizohet. I tillë ishte Kadri Roshi njeriu që preku lavdinë”.

ROLET E ROSHIT

Kadri Roshi me jetën e vet është një personazh alla Oliver Tuist, që gjendet në romanin e Dikensit e shumë shkrimtarëve të shquar botëror. Një jetim i cili kërkonte punë në kazermat e ushtrisë italiane në Kavajë, i zbritur nga Ballshi. Më vonë u hap punë në portin e Durrësit dhe aty nisi punën si punëtor ngarkim- shkarkimi, kamarier, vitet rrjedhin dhe Kadriu vjen në Tiranë si biletashitës kinemaje, ku ndoshta shikimi i filmave ndikoi tek ai për t’u dashuruar me artin e shtatë. Me ndihmën e një ish-mësuesi të tij në Ballsh, i cili e këshilloi të konkurronte në Teatrin Popullor, i sapo hapur në vitin 1945.

Shumë nga aktorët i kishte parë në kinema “Gloria”, ku shërbente si portier. I kishte parë dhe i kishte pëlqyer. Njëri nga ata ishte edhe aktori Mihal Popi, i cili të shkrinte gazit. Po në atë teatër ishin futur aktorë të ardhur nga lufta, me pushkë në qafë. Midis tyre qe edhe Besim Levonja, një tjetër ishte me emrin e poetit kombëtar Naim Frashëri. Kadriu i lindi dëshira që edhe ai të luante me ta. Ishte njeri pa shtëpi e katandi. Kishte qenë jetim i ardhur nga Ballshi, pasi nëna e kishte lënë jetim në moshën dyvjeçare, dhjetë vjet më pas i vdes edhe i ati, libohoviti i mirë Maksut Roshi, që mundi të mbjellë dashurinë për dijen dhe për vendin tek i biri. Konkurron me monologun e Hamletit “Të rrosh apo të mos rrosh” përpara regjisorit Sokrat Miho.

Megjithëse Kadriut i merrej goja, askush nga juria nuk qeshi, por vunë re diçka brenda tij kishte ndritur. S’ka gjë se nuk ua “mbushi syrin” për aktor, por gjithsesi punën e suflerit mund ta bënte. Si e kujtonte në kujtimet e tij drejtori i parë i Teatrit Popullor, dramaturgu Kolë Jakova, – aktorët ishin njerëz pa shkollë, me katër klasë. Kadri Roshi me katër klasë, duhej të punoje me ta. Kështu ka filluar Teatri Popullor me njerëz të thjeshtë, me njerëz që hapnin gojën kur flisja unë, se unë isha më i dijshmi ndër ta. Unë s’dija gjë vetë”. Shfaqjet e para Kadri Roshi i pa nga vrima e suflerit, ku ai shqiptonte me një zë të ulët të gjitha rolet. Aty ku ngecte aktori, i vinte në ndihmë intuita dhe intelekti i tij, që kishte një vëmendje të hatashme, që Kadri Roshit, tanimë i ishte ngulitur në vetëdije. Kadriu tashmë po shkollohej në Shkollën Dramatike që u hap pranë teatrit, andej nga fundi i vitit 1946. Mendonte si të dilte nga strofulla e suflerit. I ra në dorë teksti i “Martesës” së Gogolit. E daktilografoi vetë tekstin, ftoi për ndihmë Naim Frashërin, Lazër Filipin dhe Andrea Malon për të bërë prova me rolin. Kadriu mori rolin e Podgolisenit dhe shfaqja u prit me entuziazëm dhe kështu ai papritur e pa kujtuar u bë pjesë e repertorit të Teatrit Popullor.

Niset drejt Zagrebit për studime në shkollën e arteve për aktor, por pas një viti e gjysmë, kthehet së bashku me aktorin Lazër Filipi. Më pas i erdhi radha rolit të Osipit në dramën “Revizori” të Gogolit, të cilin Kadriu e luajti me shumë dashuri dhe mbeti një nga rolet më të dashura të tij. Në vitet pesëdhjetë aktori luan në dy vepra kombëtare në Teatrit Popullor, “Besa” të Sami Frashërit dhe “Heronjtë” e Kasëm Trebeshinës, nga këtej e tutje emri i tij nuk do të hiqet nga afishet e Teatrit. Në një shfaqje si ajo “Zëri i Amerikës”, ai ka realizuar tri role njëherësh. Fillojnë kështu një sërë rolesh në “Përmbysja” e Boris Llavrenjevit, të dramës “Përleshja” të Xhemal Brojës me regjisor Pjetër Gjokën, më tej me “Procesin e Lajpsigut”, “Nderi i familjes”. Me rolin e sprovës së madhe në dramën e Sulejman Pitarkës, me rolin e Jonuz Brukës, aktori Kadri Roshi shënoi një piketë të rëndësishme në karrierën e tij artistike. Ai në këtë dramë u bë epiqendra e veprimit skenik, forca e gravitetit për të gjithë aktorët e tjerë. Heshte salla kur fliste Jonuzi i Kadriut, kur fillonte dialogun me Selimin djalin plangprishës – “…edhe nënën tënde, edhe këtë qyqe që të ka bërë kokën, mund të mos e duash, por Shqipërinë ta duash, ta duash!”. Aty jepen edhe vuajtja edhe zemërimi edhe urrejtja edhe dhimbja e trazuar. Babai prind dhe patriot u shkrinë në një nga interpretimi i tij, në një qenie njerëzore të vetme ku ndjehej forca e logjikës gjer në sugjestion, bashkë me një frymë emocionale që e bashkonte figurën në tërësinë e vetë.

FIGURA KRYESORE

Në vepra të tjera në skenën e teatrit si “I çuditshmi”, dramë e shkrimtarit turk Nazim Hikmetit, ku regjosori i mirënjohur Kujtim Spahivogli mbrojti diplomën dhe roli i Kadriut përfaqësonte figurën kryesore të kësaj drame. Në tragjedinë e Shekspirit “Otello” me regjisorin rus Kriçko në vitin 1959, ai luan Jagon dhe afirmon veten, duke e veshur këtë rol me “stofin” e aktorit. Ai ishte brenda vetes së tij me një ironi të përhershme. Atij i takon të bëj edhe rolin e regjisorit të shfaqjes, sepse ndodhi që regjisori Kujtim Spahivogli u shtrua në spital. Më 1956 kthehet nga Praga pasi ka kryer studimet e larta për aktrim dhe në qoftë se vitet ‘50-të afirmuan talentin e Kadri Roshit si aktor, vitet 1960 shënuan shpërthimin e tij si aktor i dimensioneve të mëdha. Çekia, vendi ku ai studioi, ishte një vend me tradita kulturore dhe Praga një qendër e artit europian, nuk mund të mos linte gjurmë në përgatitjen e gjithanshme të aktorit.

Është nga të parët aktorë që i fitonte rolet falë formimit të tij me një kulturë interpretimi bashkëkohore. Në shfaqjet që vijnë pas si “Orët e Kremlinit”, “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Doktor Aleksi”, “Zonja e bujtinës”, “Qeni i kopshtarit”, “Hamleti”, “Arturo Ui”, “Fytyra e dytë”, “Monserat” tregoi mjeshtërinë aktoreske, me role kryesore në të cilën ai ka lënë vulën e vet në artin shqiptar. Ai kalon nga roli psikologjik, në rolin ku gdhend karakterin e sahatçiut, kalon tek figura e intelektualit me dinjitet, i cili me mprehtësinë e tij i përgjigjet kohës ku jeton. Tek ai zotëron aktori i dramatikes së fuqishme, i logjikës mbërthyese, i sugjestionit psikologjik, hidhet në “ujërat e ëmbla të komedisë”, në rastin e komedisë “Qeni i kopshtarit”. Vepra madhore “Dhelpra dhe rrushtë”, “Hamleti”, “Arturo Ui”, për vitet 1960 përbënin evenimentin më me rëndësi për teatrin shqiptar. Talentit të tij do të ndriçojë në një shfaqje madhështore “Dhelpra dhe rrushtë” me rolin e Ezopit.

Këtu Kadri Roshi shpërtheu për të mos u ndalur kurrë sa ishte gjallë. Nën regjinë e regjisorit Mihallaq Luarasi në vitin 1961 dhe më vonë nën regjinë e Dhimitër Pecanit në një variacion tjetër. Fabulisti grek Ezop i Kadriut, digjet nga dëshira për të fituar lirinë, por kjo qëndron e fshehur në thellësinë e qenies së tij, si diçka e shenjtë dhe e paprekshme. Ezopi i shëmtuar në pamje, njeriu më i bukur përbrenda shpirtit që nuk ka të matur me asnjë krijesë tjetër në tempullin e Afërditës.

Ajo klithëm “Jo” të cilën e shqipton aktori Kadri Roshi me një rezonancë të hatashme, tingëllon si një jehonë e thellë përballë Kleas së bukur (pushtetit të saj). Dhe pastaj triumfi i tij mbi shkëmbinjtë e Samosit, me atë thirrjen, gati hakmarrëse: “Pije detin Ksanth”, “Pije detin” dhe merr trajtën e një gjëmimi. Gongu ra për Kadri Roshin në vitin 1971 me “Arturo Ui” te drama epike e Brehtit. Niveli europian i interpretimit të Kadri Roshit në këtë dramë është i padiskutueshëm, ashtu si edhe mjeshtëria e lartë e regjisorit Pirro Mani, të cilët sollën frymën e kohës, me ndjenjën e zemëratës më të egër. Nëpërmjet figurës së krijuar nga Kadri Roshi ne shohim jo vetëm një Hitler, i cili i vuri zjarrin gjithë botës, por të gjithë diktatorët e botës të cilët janë vrasës, të cilët për arritjen e qëllimit të tyre shkelin mbi kufoma. Ne shohim në skenë se me sa lehtësi ai grabit “trustin e lulelakrës” duke vringëlluar me koburen dhe kërbaçin në dorë, për të eliminuar “miqtë e tij, armiq”. Në të gjitha këto skena aktori Kadi Roshi kalon nga njëra sprovë në tjetrën plot elasticitet, me një plastikë mënxyrosëse për të dalë në krye. Qetësia që ai shfaq përpara arkivolit të Dëllfit, e përzier me një ironi rënqethëse, këtu merr trajtat bërtitëse e skizofrenike, herë lodruese e herë përqeshëse në një triumf makbethian.

“EPOKA PARA GJYQIT”

Kryeroli i Kadri Roshit është te drama “Epoka para gjyqit” e Ekerem Kryeziut, shfaqur më 1982 në Teatrin Popullor me regji të Pirro Manit. Një hero krejt tjetër, ndryshe nga heronjtë e idealizuar, këtu rilindasit Abdul Frashëri i Kadriut dhe Sulejman Vokshi i Sulejman Pitarkës janë më të prekshëm, më pranë popullit janë trajtuar të çmitizuar, duke zbuluar rrënjët e tyre në tokën mëmë, afër popullit. Figurat historike tek “Epoka para gjyqit” kishin një ngjashmëri të madhe me heronjtë e vërtetë të Lidhjes së Prizrenit, aq sa gjithkush mendonte se ata ishin me të njëjtat dimensione, me atë veshje, me atë frymëmarrje, me atë thjeshtësi tokësore, siç i dhanë këta dy aktorë. Abdyl Frashëri ecën ngadalë, i lidhur me zinxhirë të rëndë. Ndaloi për një çast, aty tek porta e kështjellës, ku zënë vend gurët mitologjikë si Prometeu pasi ka marrë dënimin e Zeusit.

Ne dëgjojmë një njeri që shkon drejt vdekjes me qetësi, nën vringëllimën e zinxhirëve, por qëndrimi i tyre është burrëror. Abdyl Frashëri i Kadriut është një burrë i vërtetë, kur duhet të përballojë e të durojë torturat e katilit; është një filozof i lindur dhe në gojën e tij dalin mendimet e eruditit, që kërkon rrugëzgjidhjen e problemit kombëtar, por edhe lirinë e vetes. Ky patriot i shquar, shok e mik i mirë për këdo që e do me zemër, ngjiz nga interpretimi i aktorit Kadri Roshi na japin një Abdyl Frashëri me tipare të larta fisnikërie, si një hero i vërtetë tipik i rilindjes shqiptare. Transformimi i aktorit ironik e sakaistik në një njeri me kostum të zi e me këmishë të bardhë, me atë papion të hollë, tërësisht me një pamje fisnike, flasim për një qenie tjetër, pra kjo ishte mrekullia e një interpretimi skenik, bërë nga një aktor “magjistar i tjetërsimit” si Kadri Roshi.

Në kinematografi që nga filmi i parë “Tana” i vitit 1957 deri në filmin e 36 të luajtur nga ai në vitin 1999, shihet larmia e portreteve njerëzore e këndvështrimet interesante në epokat historike. Ai ka një gjerësi të shumanshme interpretimi për të dhënë një galeri individualitetesh që përbëjnë një epokë, që hedhin dritë, si në djeshmen, ashtu edhe në të sotmen. Filamt “Ja vdekje ja liri”, “Pas vdekjes” dhe “Shembja e idhujve” vizatojnë tri portrete njerëzore që janë tipikë për epokën që jetojnë dhe kanë vlera përgjithësuese e individualizuese. Seria e filmave që prekin dhe trajtojnë kohën e Luftës Nacionalçlirimtare është shumë e gjatë. Kjo temë zë vendin kryesor në krijimtarinë e Kadri Roshit. Plaku Demir në filmin “I teti në Bronx” (1969) nuk mund të harrohet, as nuk mund të harrohet te roli i Safa Ymerit te filmi “Malet me blerim mbuluar”.

Të dy personazhet janë fshatarë me specifikat e tyre, njëri i mbushur me ironi e sarkazëm dhe tjetri me një intuitë të lindur i regjur me jetën, që s’di gjë nga bota, por di shumë nga jeta e tij. Fshatari tjetër që luan në filmin “Ballë për ballë”, aktori Kadri Roshi megjithëse me një rol të vogël ka ndriçimin e tij, po ashtu edhe te filmi “Këshilltarët”, Murat Bënça ka njeriun e gdhendur mjeshtërisht nga interpretimi i Kadriut, ku mishërohet njeriu i thjeshtë me burrëri përballë armikut. “Tokë e përgjakur”, simbolika e bardhësisë së miellit, me bardhësinë e mjekrës së tij, me flokët e thinjur dhe bardhësia e shpirtit bashkohen në një vlerë të vetme. Në filmin “Lulëkuqe mbi mure” na shpërfaqet fytyra e urryer e një njeriu të lig si kujdestari i strehës jetimore.

Plaku i Mere Fizit në filmin “Njeriu me top”, i zhytur në krime është tërësisht një tmerr i ferrit të Dantes. Këtu të dy rolet vijnë nga e kaluara si arketipa që po ju ikte koha. Zazexhiu te “Gjeneral gramafoni” është njeriu i mirë që tërheq këmbën e jetës së vështirë dhe gishtat nuk i bëjnë për muzikë, port e filmi “Misioni përtej detit” kemi një plak tjetër më djallëzor jo nga pija, por nga tmerri i dramës “Otello”. Në vazhdën e filmave të epokës pas luftës filmat si “Përballimi”, “Rrethimi vogël”, Apasionata”, “Fijet që priten”, “Kolonel bunker”, “Mirupafshim” shohim një interpretim të shumanshëm, ku nevoja për të qenë bashkëkohor në nivel interpretativ ishte një normë, sepse filmi shqiptar po merrte pjesë nëpër festivale ndërkombëtare duhej një ekip i tërë me nivelin e Kadri Roshit.

Batutat e Nazifit te filmi “Përballimi”, “Gërmo Tare, gërmo se aty kam qenin e ngordhur” apo Marko Ruvina në dialogun me shoqen Besa, kur i kujton asaj fëmijën “Mos harro shoqja Besa se ke një fëmijë”. Kadri Roshi i dha kinematografisë shqiptare gjithë ç’kishte në shpirtin e vet krijues, duke e pasuruar me figura artistike e imazhe të shkallës më të lartë të aktrimit. Kompleksiteti artistik i Kadri Roshi ka të bëjë, në radhë të parë, me larminë e figurës artistike që ka mishëruar në skenë dhe në ekran, me diapazonin e gjerë të tipave e karaktereve, me një galeri të tërë njerëzish nga jeta e përditshme, nga historia, nga epokat që kanë kaluar e që janë fokusuar nga kamerat e artistit. Kompleksiteti artistik i Roshit duhet parë në gjini të ndryshme interpretative. Është po aq i sigurt edhe në komedi, me nuhatjen e tij të hollë, për t’u tjetërsuar nga roli në rol. Kompleksiteti i këtij aktori me emër, duhet parë në mjetet shprehëse që përdor për ta individualizuar sa më mirë personazhin e vet, qoftë ky edhe më i parëndësishmi. Mjetet shprehëse, detajet aktoreske, nuancat interpretative, gjer tek vizioni i përgjithshëm i figurës, janë tek ai të shumta, të gjetura, domethënëse dhe që të gjitha në funksion të karakterit të njeriut. Baza e suksesit të tij është puna.

Kështu shprehej ai në të gjitha intervistat e ndryshme që ai ka dhënë atyre që e kanë pyetur. “Suksesi është vetëm punë dhe vetëm punë”. Kjo është kaq e vërtetë se ai punonte me vetveten me këmbëngulje të hekurt, djersitje në prova rraskapitëse që shkonin nga mbrëmja deri në mëngjes. Në një intervistat e kohëve të fundit në një televizion, i biri Kadri Roshit, z.Kliti Roshi është shprehur: Dramën “Aruro Ui” e kishte peng, pse nuk u filmua kjo dramë prej 3 orësh. I bëjnë një rang në teatër dhe e dërgojnë në OAN-ën, një ndërmarrje në Tiranë, fiton kupën e festivalit me amatorët e kësaj ndërmarrjeje dhe e rikthejnë sërish në Teatrin Popullor. Peshkatari i ditëve të hëna Kadri Roshi, ishte shumë i apasionuar me peshkimin. “Kadri Roshi ka luajtur 180 role në teatër dhe 36 role nëpër filma, gjithsej 216 role dhe të gjithë i ka trajtuar si fëmijët e tij”.

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura