Justifikohet ministrja serbe: Deklarata ime për “spastrimin etnik” të Kosovës u keqpërdor, ndoshta duhej të kisha thënë “deportim”

Jul 17, 2026 | 17:41

Ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snežana Paunović, ka deklaruar se shtatë sekonda nga intervista e saj për Kurir janë “nxjerrë në mënyrë keqdashëse” për ta akuzuar atë për thirrje në spastrim etnik.

sezana

Megjithatë, ajo përsëriti qëndrimet e shprehura në intervistën e kontestuar, duke thënë se ndoshta do të ishte më mirë të kishte përdorur termin “deportim” në vend të “spastrimit etnik”, për të shmangur reagimet e ashpra.

Kujtojmë se ministrja dhe zyrtarja e Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), Snežana Paunović, deklaroi në një intervistë të transmetuar fundjavën e kaluar në Kurir TV se, po të kishte qenë në vendin e presidentit të atëhershëm të RF të Jugosllavisë, Slobodan Milošević, në vitin 1998 do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.

Sot, Paunović justifikohet se reagimet ndaj deklaratës së saj janë pasojë e “keqpërdorimit të një pjese të fjalisë”.

“Ajo që është prerë dhe keqpërdorur nga ana e shqiptarëve, dhe që është përqafuar në Serbi nga të gjithë ata që duan të përballen politikisht, qoftë vetëm me mua apo me të gjithë shumicën qeverisëse, në fakt synon t’i shkaktojë dëm Serbisë. Nëse shkëputen shtatë sekonda nga çdo emision, mund të krijohet pikërisht kjo që është krijuar”, tha Paunović për TV Prva.

Ajo pranoi se ndoshta nuk duhej të përdorte termin “spastrim etnik”, por “deportim”.

“Po, ndoshta do të thosha ‘deportim’, thjesht për të shmangur që të më sulmojnë nga të gjitha anët. Por kushdo që është normal dhe e kupton për çfarë po flas, e di se ndonjëherë mund të të shpëtojë një term i pafat. Në fund të fundit, kur je spastruar etnikisht, e pothuajse kemi qenë ose kur çdo ditë bëhen përpjekje që kjo të ndodhë, është e natyrshme që termi ‘spastrim etnik’ të mbetet në mendje si përvoja që ke kaluar”, tha ajo.

Deklaratën e saj për Kurir ajo u përpoq ta justifikojë më tej duke thënë se kishte theksuar se nuk do ta kryente spastrimin etnik në mënyrën se si, sipas saj, veprojnë sot shqiptarët e Kosovës.

“Jo me likuidimin e askujt, por thjesht me vullnet të lirë”, tha ministrja.

Sipas saj, ajo që Milošević duhej të kishte bërë ishte: “Çdokush që nuk respektonte Kushtetutën dhe ligjet e Republikës Federale të Jugosllavisë të kthehej në vendin amë, të cilin e konsideron më të mirë për veten, ndërsa me terroristët, si kudo në botë, të merreshin forcat zyrtare të armatosura.”

 

© Panorama.al

Te lidhura