
Një tjetër tërmet i fortë ka goditur Japoninë, duke tronditur popullsinë e zonës tashmë të shkatërruar nga tronditjet historike të 11 marsit, që u pasuan me një cunami vdekjeprurës.Pas tërmetit të djeshëm 7.4 ballësh, autoritetet paralajmëruan qytetarët se një cunami i ri do të godiste përsëri zonën verilindore të Japonisë me dallgë rreth 1,8 metra të larta. Të gjithë qytetarët e zonave bregdetare të pjesës verilindore të vendit u këshilluan të ngjiten në zona më të larta e të mos qëndrojnë në katet e para të ndërtesave. Por fatmirësisht alarmi për cunami u hoq vetëm 90 minuta pasi u lëshua. Tërmeti e kishte epiqendrën rreth 40 kilometra larg brigjeve të Miyagit dhe tensioni më i madh i autoriteteve ishte se tronditjet 7.4- ballëshe do të sillnin pasoja të tjera në centralin e dëmtuar bërthamor të Fukushimës. Sipas vëzhgimeve të para, centrali i Fukushimës nuk ka pësuar dëme të reja dhe nivelet e radioaktivitetit nuk janë shtuar nga tërmeti i ri, por kanë mbetur në nivelet paraprake. As punëtorët në central nuk kanë pësuar dëmtime, edhe pse lëkundjet ishin shumë të forta. Sidoqoftë, monitorimi i zonës po vazhdon, pasi situata në central është mjaft delikate. I vetmi dëm ishte shkëputja e përkohshme e energjisë, sipas njoftimeve të para. Prefekturat e Miyagit, Fukushimës dhe Jamagatës mbetën pa energji elektrike, por sipas policisë së zonave, nuk ka pasur dëme të tjera. Impianti nuklear Onagava në Miyagi ka humbur dy nga tre sistemet e tij të jashtme të energjisë, sipas agjencive lokale. Tronditjet e tërmetit 7.4-ballësh janë ndier deri në Tokio dhe kanë zgjatur rreth një minutë. Një tronditje pasuese ka goditur fort qytetin e Sendait, i cili është pothuajse totalisht i shkatërruar nga cunami i 11 marsit. Toka vazhdon të lëkundet në Japoni me pas-goditjet e tërmetit, por deri tani asnjë rajon nuk ka raportuar dëme të mëdha.
7.4 ballë
ishte tërmeti që ndodhi dje në Japoni, në pjesën verilindore të vendit, në orën 11:32 të mbrëmjes me orën lokale. Tërmeti nuk ka shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe as viktima.
1000 lëkundje që pas 11 marsit
Një gjeofizikant në qendrën amerikane të vëzhgimeve gjeologjike, Paul Caruso, tha se tërmeti i djeshëm që goditi Japoninë, ishte i së njëjtës thellësi që kish pasur edhe tërmeti i 11 marsit, i cili u pasua me dallgë cunami deri në dhjetë metra të larta. Që nga 11 marsi, Japonia është goditur nga 1000 tërmete të tjera dhe i djeshmi ishte më i forti, me përjashtim të lëkundjes menjëherë pas tërmetit 9-ballësh, e cila u regjistrua po më 11 mars me fuqinë 7.9 ballë.
© Panorama.al











