Japoni, kriza nukleare nuk ‘sheh’ fund

Apr 14, 2011 | 8:58

Ndërsa Japonia çdo ditë tronditet nga tërmetet, kriza në centralin nuklear të Fukushimës nuk duket se do të shohë një zgjidhje të shpejtë. Vendi dje u godit nga një tërmet 5,8 ballë, i cili preku kryesisht provincën e Ibarakut. “Tepco”, kompania e menaxhimit të energjisë atomike në centralet japoneze, njoftoi dje po përpunon një plan për zgjidhjen përfundimtare të krizës bërthamore. Por deklarata e tyre u pasua me akuza për paaftësi. Inxhinierët e “Tepco”-s janë pritet të përfundojnë shkarkimin e ujit radioaktiv të një prej gjashtë reaktorëve. Pas kësaj do të nisin punimet për riparimin e centralit. Por gjasat më të mëdha janë që centrali të çmontohet. Pas kërkesës së kryeministrit japonez, Naoto Kan, ekspertët kanë njoftuar se centrali i Fukushimës mund të çmontohet brenda dhjetë viteve. Centrali u dëmtua rëndë pas tërmetit 9 ballë që goditi pjesën verilindore të Japonisë më 11 mars. Tërmeti, i cili u pasua edhe me një cunami vdekjeprurës, ka goditur edhe ekonominë e vendit. Qeveria japoneze i ka ulur vlerësimet mbi ekonominë, ku parashikohet që pjesët kyçe të saj do të vuajnë pasojat e katastrofës.

© Panorama.al

Te lidhura