Kompania energjetike “Tepco” në Japoni, po lufton për të bllokuar çarjet në reaktorët e Fukushimës që të pengojë ujin radioaktiv të derdhet më shumë në oqean. Stafi i punëtorëve të Fukushimës ka zbuluar një çarje 20 cm të gjerë pranë reaktorit numër 2 të Fukushima Daikit, ku po injektojnë një thithës polimeri, tallash dhe gazeta në të çarën, duke shënuar përpjekjen më të madhe për të bllokuar rrjedhjen, pasi përpjekjet e së shtunës për të bllokuar çarjen duke përdorur beton dështuan. Nëse Tepco ka sukses kësaj radhe, betoni do të hidhet sipër shtresave të polimerit, për ta bërë atë më të qëndrueshëm, sipas një qeveritari japonez. Kjo është hera e parë që Tepco ka zbuluar burimin e rrjedhjes në oqean, të cilat mendohen të kenë nisur që një javë më parë. Ndërkohë, emergjenca ka bërë që të njoftohet nga autoritetet japoneze se procesi i vënies nën kontroll të impiantit Fukushima Daiki të zgjasë më tepër se një muaj, nga sa ishte parashikuar fillimisht. Ndërkohë, trupat e dy punëtorëve të centralit bërthamor të Fukushimës, të zhdukur që nga tërmeti dhe cunami i 11 marsit, u gjetën dje pa jetë. Trupat e tyre janë pastruar dhe dekontaminuar, sepse janë gjetur në zonën ku po emetojnë sasi të mëdha radioaktiviteti.











