Vetëm 48 nga 300 emigrantët që po udhëtonin drejt Italisë mbrëmjen e së martës, kanë mundur të mbijetojnë pas përmbysjes së anijes-varkë, për shkak të motit të keq. Rreth 250 persona mungojnë pasi anija e nisur nga Libia u mbyt në ishullin italian të Lampeduzës. Anija e mbingarkuar besohet se kishte më shumë emigrantë nga Eritrea dhe Somalia. Autoritetet detare italiane pranuan se ishte shumë e vështirë të ndërhynin për shkak të kushteve shumë të këqija të motit. Sipas dëshmitarëve që shpëtuan, anija e rojës detare italiane i kishte përkeqësuar gjërat për ta. Ata kishin parë se anija e vogël e emigrantëve ishte në vështirësi dhe ishte afruar për të ndihmuar. Por afrimi i tyre me motorë të fikur zgjati më shumë se një orë. Abdel Karim, 45 vjeç, tha në mediat italiane se “Ndërsa anija afrohej, paniku u rrit. Ne u mblodhëm të gjithë në një anë të anijes sonë kur anija italiane u afrua vetëm një metër pranë nesh dhe kjo shkaktoi edhe përmbysjen”. Gjatë ditëve të fundit kanë mbërritur shumë emigrantë edhe nga Libia. 48 njerëzit u shpëtuan në brigjet e Sicilisë, pasi Italia mori një thirrje në orën 4:00 të mëngjesit nga një telefon satelitor, se një anije-varkë ishte në rrezik mbytjeje. Mes të mbijetuarve ishte edhe një grua shtatzënë, por dëshmitarët thonë se janë mbytur shumë gra dhe fëmijë. Autoritetet italiane fillimisht besonin se në anijen e vogël, 13 metra të gjatë, ishin rreth 200 persona, po aq besohej se ishte kapaciteti i saj. Por dëshmitarët thanë se aty ishin rreth 300 vetë.
Mijëra emigrantë
Më shumë se 22 mijë emigrantë kanë mbërritur në Lampeduza që nga janari 2011. Pjesa më madhe kanë mbërritur nga Tunizia pas shpërthimit të trazirave në atë vend. Italia i ka vendosur pjesën më të madhe të emigrantëve në disa qendra në Sicili. Të martën qeveria italiane arriti një marrëveshje me qeverinë tuniziane për t’i dhënë fund lejimit të nisjes së anijeve me emigrantë.











