Itali, goditet rrjeti i drogës, në pranga nëntë shqiptarë

Mar 25, 2011 | 11:04

Gjatë një superaksioni të koduar “Kasapët”, policia italiane ka bllokuar në Bari një sasi prej më shumë se një ton bime narkotike Cannabis sativa, duke arrestuar 19 persona, mes të cilëve 9 shqiptarë. Në operacionin që është shtrirë në disa zona të Italisë kanë marrë pjesë rreth 200 forca. Sipas hetimeve paraprake rezulton se banda operonte në Pulia, Basilikata, Lazio, Emilia Romagna, Bari e Toskana. Qendra e bandës ka qenë në zonën e Toritto-s në Bari, shkruajnë mediat italiane. Gjatë kontrolleve të bëra nga policia u sekuestrua rreth 1150 kilogramë hashash, që kishte mbërritur në Itali nga Spanja, Holanda dhe Shqipëria. Arrestimet u kryen në orët e para të mëngjesit të djeshëm dhe në qendër të operacionit ka qenë një prej bandave më të rrezikshme të zonës. Policia arrestoi 19 persona; 9 italianë, 9 shqiptarë dhe një grua 48-vjeçare me origjinë polake, ndërsa janë shpallur në kërkim dhe 6 shqiptarë. Banda operonte në zonën e bosit të mafies italiane, Kozimo Zono, i cili është një 68-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Operacioni është koduar “Kasapët”, duke qenë se aktiviteti kryesor i rrjetit zhvillohej në dy thertore që ishin pronë e anëtarëve të saj. Shqiptarët e arrestuar si pjesë e rrjetit të trafikut ndërkombëtar të drogës janë dy vëllezërit Arian dhe Dritan Aga. Pjesë e bandës është dhe kushëriri i tyre, Luan Aga. Janë arrestuar gjithashtu edhe Loni Paluka, Artan Karaj, Ylli Dalipaj, Gentjan Hamzaraj, Petref Kondaj dhe Eduart Premtaj. Sipas mediave italiane, droga e bllokuar ka një vlerë prej 6 milionë eurosh. Ndërsa përveç sasisë së bimës narkotike, policia ka sekuestruar edhe disa makina luksoze dhe prona të pjesëtarëve të bandës, të cilat arrijnë një vlerë prej 4 milionë eurosh. Policia italiane nuk ka bërë publik emrat e gjashtë shqiptarëve të tjerë që janë shpallur në kërkim si pjesë e këtij rrjeti, por pohon se po punon për kapjen e tyre.

Shqiptarët e arrestuar

1. Arian Aga,         32 vjeç
2. Dritan Aga,         33 vjeç
3. Luan Aga,         28 vjeç
4. Loni Paluka,         29 vjeç
5. Artan Karaj,         36 vjeç
6. Ylli Dalipaj,         40 vjeç
7. Gentjan Hamzaraj,     33 vjeç
8. Petref Kondaj,         37 vjeç
9. Eduart Premtaj,     39 vjeç

© Panorama.al

Te lidhura