Dy emra të ndryshëm me histori thuajse të njëjtë. Ndërmjet tyre 58 vite dhe dy sisteme politike të ndryshme. Njëri diktaturë dhe hipokrit, tjetri po ashtu hipokrit megjithëse mbahet për demokraci.
Kurse viktimat, të njëjta: mësuesit. Por konteksti që ther thellë në shpirt, për fat të keq, është ai i sotmi. Sepse para 58 viteve, ishte një mësues që aksidentohet rrugës për të vajtur në shkollë ku e prisnin nxënësit e shumtë, në tjetrin një mësues që vdes në rrugë ku e prisnin vetëm dy nxënës. Të tjerët kanë ikur e vazhdojnë të ikin.
Në nëntorin e largët të vitit 1968, rreth 58 vite më parë, një mësues 19-vjeçar me emrin Ismet Sali Bruçaj ishte nisur për të shkuar në shkollë në fshatin Likaj të Këlmendit. Një stuhi e bëftë dëbore bëri që ai të bjerë nga një shkëmb e të humbë jetën. Emri i tij kujtohet edhe sot, madje është përkujtuar edhe 50-vjetori i vdekjes së tij në krye të detyrës. Ky përkujtim i cili duhet lavdëruar, ndoshta vjen si inerci e faktit se shteti komunist për arsye propagandistike ose jo, i dha këtij mësuesi titullin hero. Pra, përkujtohet një hero. Ishte hero apo ishte një mësues pasionant që bënte rrugën në këmbë si mijëra e mijëra kolegë të tij, kjo ngre shumë diskutime.
Ndërkohë, ajo që nuk mund të mohohet kurrë është që te secili mësues i atyre viteve kishte diçka prej heroi kur për vite e dekada të tëra, sidomos ata që shiheshin me sy të shtrembër nga regjimi komunist, shkonin përditë, në shi e borë, në pluhur e në baltë, në këmbë e me makina rasti për të dhënë mësim në çdo fshat ku kishte shkollë. Kishte edhe nga ata që shkonin një herë në javë në shtëpinë e tyre e kishte edhe të tjerë që shkonin një herë në muaj a më pak sepse jepnin mësim jashtë rrethit ku banonin. Te secili prej tyre mund të gjesh histori e momentet më të vështira të jetës. Madje jo pak kanë shpëtuar rastësisht për mrekulli nga aksidentet apo nga ngrirja në dëborë. Me historitë e tyre të panumërta do të shkruheshin volume e volume të tëra librash që flasin për sakrifica e dashuri.
Pavarësisht fjalëve të bukura që thuheshin, në më të shumtën e rasteve mësuesit e fshatrave nënvleftësoheshin sidomos kur kërkonin të hipnin në ndonjë makinë rasti. Ata endeshin rrugëve plot ankth për të arritur orën e mësimit sepse ndryshe ndëshkoheshin. Kjo epokë ka ikur, por ajo vazhdon të jetë e gjallë në mendjen dhe në kujtimet e mijëra e mijëra mësuesve që kanë larë rrugët e fshatrave me lot e me djersë për të vajtur atje ku e kërkonte detyra.
Teorikisht, sot pas gjysmë shekulli mendohej se gjërat do të ishin shumë më ndryshe për këtë kategori të shoqërisë shqiptare. Por për fat të keq episodi i mësuesit Alban Bejleri tregon se për mësuesit, me gjithë fjalët mikluese, shoqëria shqiptare nuk është ende e gatshme t’u japin atë që meritojnë. Kur flitet për këtë mangësi të shoqërisë në përgjithësi, qeveria është akoma më keq. Tragjedia e Albanit flet për dy probleme, një më shumë se ai në kohën e Ismet Sali Bruçajt. Ky mësues me një mal sëmundjesh, vdiq në rrugë pasi kishte disa vite që bënte 12 km rrugë në ditë, vajtje e ardhje dhe për dy nxënës. Njëra tragjedi që flet për humbjen e jetës së një mësuesi dhe tjetra për një shkollë me vetëm dy nxënës. Braktisja e shkollës, e fshatit, e Shqipërisë mbetet dhimbja aktuale më e madhe. Burokracia e shtetit për të parandaluar raste të kësaj natyre përbën një tjetër fenomen që rëndon, që çon drejt rasteve tragjike si kjo e Albanit.
Nëse një mësues vdes rrugës për në shkollë, për shkaqe natyrore apo për shkak se kishte një mal me sëmundje, ky nuk është thjesht një rast, është një jetë e humbur në krye të detyrës. Nëse ai vdiq se sforcohej ngaqë bënte çdo ditë 12 km rrugë, apo për ndonjë shkak tjetër, fakti mbetet i rëndë. Rëndësi ka reflektimi. Dhe këtë reflektim së pari duhet të bëjnë institucionet përgjegjëse të vendit si dhe pushteti vendor.
Në kohën e Ismet Sali Bruçajt nuk kishte pluralizëm politik. Askush nuk u thirr në grup parlamentar e të jepte përgjigje për vdekjen e tij, por mësuesi u bë hero, u nderua. Në kohën kur mësuesi Alban Bejleri vdiq rrugës për në shkollë, Shqipëria ka një parlament pluralist dhe të zgjedhur me vullnet të lirë nga populli ynë sovran. Në këtë parlament u zhvillua një debat, madje i ashpër dhe me tematikë si gjithmonë se kush e mbante përgjegjësinë për vdekjen e mësuesit. Në fakt, ky debat u bë vërtet për të, por vetë mësuesi u harrua të nderohet. Më tepër dukej se po jepej një shfaqje, e cila në sfond kishte përfitimin politik sesa një reflektim për arsimin e arsimtarët e akoma më pak nderim për viktimën. Meqenëse u bë ky sherr, kishte ndonjë mundësi për ta nderuar mësuesin me një minutë heshtje?
Ai mësues vdiq në krye të detyrës edhe zyrtarisht edhe simbolikisht. Dhe kur dikush humbet jetën duke bërë një punë me karakter social, në favor të shoqërisë, minimalisht duhet nderuar me një ceremoni zyrtare. Kjo edhe për t’i dhënë kuptim punës së tij në mësimdhënie si dhe për të krijuar një moment reflektimi të brendshëm për secilin nga ne. Një moment solemniteti të cilit i bashkohet gjithë shoqëria e cila për hir të së vërtetës, në dekadat e fundit duket se ka harruar të nderojë njeriun e punës, njeriun e thjeshtë i cili kontribuon për shoqërinë pa pretenduar të marrë shumë prej saj, pavarësisht se edhe njerëzit për t’u nderuar në këtë drejtim sa vijnë e rrallohen.
Por ndryshe nga koha e Ismet Sali Bruçajt, aktualisht jemi në epokën dixhitale. Ajo është mjaft komode për të mbaruar punët shpejtë e shpejtë, por nga ana tjetër edhe shumë larg kontaktit dhe ngrohtësisë njerëzore. Aktualisht, në kohën e mësuesit Alban Bejleri “Facebook” rezulton të jetë një mjet efikas për të kryer “nderimet” e rastit. Për të ndjerin janë dedikuar disa fjalë nga Ministria e Arsimit dhe historia e tij aty merr fund. Një ceremoni zyrtare për ta përcjellë të ndjerin me nderime për vullnetin e treguar në ushtrimin e detyrës, duket se është e tepërt për një mësues periferik, që vdes rrugës për në shkollë.
Aktualisht të paktën mediatikisht flitet për arrest kardiak, po ashtu flitet se mësuesi kishte një mal me sëmundje dhe kishte kërkuar transferim më afër vendbanimit të tij. Në një kontekst të tillë, të shpresojmë se do të ketë edhe një hetim në mos penal, administrativ. Por ka më shumë të ngjarë që pas debatave publike të bëra për këtë temë, të ndodhë ajo që ndodh rëndom. Pluhuri i harresës do të mbulojë gjithçka. Ky pluhur do të pastrohet vetëm kur të ndodhë rasti tjetër ose një rast i ngjashëm me të. E kështu pa fund, në një shoqëri ku sundon sherrnaja dhe mungon reflektimi. Për fat të keq, mësuesi vazhdon të jetë i nënvleftësuari i përjetshëm.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












