
Pas protestave përpara Kryeministrisë, personat me aftësi të kufizuara shprehën dje përballë shefit të qeverisë shqetësimet e tyre. Në fakt, kryeministri i vendit u vu disi në siklet kur njëri prej tyre i tha hapur se që prej pesë vitesh nuk ka mundur t’i shprehë atij shqetësimet e këtij komuniteti, qoftë dhe nëpërmjet numrit të telefonit të vënë në dispozicion nga Kryeministri. Kjo situatë erdhi fill pas fjalës së Kryeministrit, i cili kërkoi para përfaqësuesve të OSBE-së dhe përfaqësuesve të Këshillit Britanik më shumë vëmendje nga organet vendore ndaj personave me aftësi të kufizuara për integrimin e tyre. “Qeveria qendrore përcakton fondet, por asgjë nuk mund të zëvendësojë komunitetin, qeverinë vendore, kujdesin e saj për këta qytetarë. Ftoj forcat politike që kujdesin, interesin, kushtet për personat me aftësi të kufizuar ta shndërrojnë në përparësi”, tha Berisha. Ai kërkoi reformimin e Këshillit Kombëtar të Aftësisë së Kufizuar me qëllim që të bëjë sa më mirë monitorimin, avokatinë dhe zbatimin e legjislacionit për aftësinë e kufizuar. Prezenca e OSBE-së dhe Mbretëria e Bashkuar bënë thirrje për më shumë mbështetje për njerëzit me aftësi të kufizuara në Shqipëri. Ambasadori i OSBE-së në Tiranë tha se në Shqipëri numërohen 1300 persona me aftësi të kufizuara, por që në fakt përbëjnë kategorinë më të lënë pas dore. Ndërsa ambasadorja britanike u shpreh se Shqipëria duhet të hedhë hapa të sigurt drejt fuqizimit të legjislacionit për përmirësimin e jetës së personave me aftësi të kufizuara. Në këtë takim u diskutua, përveç përshtatshmërisë e punësimit, edhe për marrëdhëniet mes personave me aftësi të kufizuara me median.











