VOLTIZA DURO/ Kanceri i prostatës është një nga sëmundjet më të përhapura te meshkujt, por njëherazi ndër më pak të diskutuarat në shoqëri.
dërgjegjësimi shpëton jetë, mjekët apelojnë për kontrolle të rregullta dhe diagnostikim të hershëm. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, dr. Orges Spahiu, përgjegjës i Njësisë së Radioterapisë në QSUNT flet mbi këtë sëmundje, për trajtimet më moderne dhe sfidat në Shqipëri. Ai thekson se në vendin tonë kjo sëmundje zë vendin e dytë ndërmjet patologjive tumorale te meshkujt me shifra progresivisht në rritje. Spahiu shton më tej se kanceri i prostatës kur kapet herët është i trajtueshëm, me shkallë mbijetese mbi 98% në stadin lokal, por kur lihet pas dore, pasojat janë shpesh të pakthyeshme.
Doktor, sa shqetësuese është përhapja e kësaj sëmundjeje dhe pse është kaq pak e përfolur?
Kanceri i prostatës mbetet një nga sëmundjet më të përhapura dhe njëkohësisht më pak të diskutuara mes burrave në Shqipëri dhe rajon. Sipas të dhënave më të fundit nga GLOBOCAN 2022, globalisht çdo vit regjistrohen mbi 1.4 milionë raste të reja me kancer prostate në botë dhe mbi 375,000 vdekje. Në Shqipëri, sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARC), kanceri i prostatës është forma më e zakonshme e kancerit te meshkujt në shumë vende të zhvilluara. Në disa vende të Evropës Perëndimore, incidenca shkon mbi 130 raste për 100,000 meshkuj. Në Shqipëri, kjo sëmundje zë vendin e dytë ndërmjet patologjive tumorale te meshkujt me shifra progresivisht në rritje. Plakja e popullsisë është faktor primar që ndikon në rritjen e incidencës së kësaj sëmundjeje.
Cilat janë mundësitë reale që kemi sot për diagnostikim dhe trajtim në kohë?
Kanceri i prostatës është një prej patologjive më të kurueshme të kancerit kur identifikohet në stadet e hershme. Udhëzimet më të avancuara ndërkombëtare si NÇN (National Comprehensive Cancer Network), ESMO (European Society for Medical Oncology), ESTRO (European Society for Radiotherapy & Oncology) dhe EORTC (European Organisation for Research and Treatment of Cancer) rekomandojnë strategjitë e mëposhtme të diagnostikimit dhe trajtimit: diagnostikim të hershëm me anë të PSA (ProstateSpecific Antigen) dhe kontrollit fizik DRE (Digital Rectal Examination); vlerësim të rrezikut gjenetik në individët me histori familjare përmes testimeve si BRCA2, HOXB13; Imazheria me PSMA-PET/CT dhe përdorimi i MRI multiparametrike janë tashmë standardi për vlerësimin e saktë të sëmundjes. Modelet më të fundit të ultrasonografisë me inteligjencë artificiale kanë arritur sensitivitet mbi 90%, çka ndihmon në identifikimin më të mirë të tumoreve klinikisht të rëndësishëm; NÇN thekson se depistimi duhet të fillojë në moshën 50 vjeç për meshkujt me rrezik mesatar dhe në moshën 40–45 vjeç për ata me histori familjare apo përkatësi racore të rrezikuar.
Si janë përmirësuar terapitë për trajtimin e kancerit të prostatës në dekadën e fundit?
Sot, përveç kirurgjisë dhe radioterapisë tradicionale, trajtimi i kancerit të prostatës përfshin strategji të personalizuara trajtimi si: hormonoterapi të avancuar (ADT) me agjentë si Enzalutamide dhe Abiraterone. Terapitë me radionuclide, përfshirë alfaizotope si 225Ac-PSMA617, të cilat po tregojnë efikasitet të lartë në rastet metastatike rezistente ndaj kastrimit. Imunoterapia dhe terapia targetuese (PARP inhibitorët), të përdorura në raste të caktuara me mutacione gjenetike të konfirmuara; EORTC dhe ESTRO theksojnë rëndësinë e përdorimit të radioterapisë së drejtuar me imazhe dhe rrezatimi me intensitet të moduluar (IMRT/IGRT/VMAT) për të maksimizuar kontrollin lokal duke minimizuar efektet anësore.
Në kontekstin shqiptar, cilat janë sfidat dhe mundësitë për përmirësim?
Në vendin tonë, nevojitet një program kombëtar për parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm të kësaj sëmundjeje.
Çfarë hapash konkrete rekomandoni për ta kthyer këtë sëmundje në prioritet kombëtar shëndetësor?
Mund të jap disa rekomandime strategjike. Së pari, mund të realizohet një fushatë kombëtare ndërgjegjësimi për PSA dhe simptomat e hershme të kancerit të prostatës. Një pikë tjetër e rëndësishme është edukimi i mjekëve të familjes dhe popullsisë mashkullore për rëndësinë e kontrollit të rregullt, si dhe subvencionimi i analizës PSA dhe mbështetje për qendrat diagnostike. Gjithashtu, nevojitet përfshirja e testimeve gjenetike në protokollet për individët me rrezik të lartë.
Një mesazh i drejtpërdrejtë për burrat shqiptarë, që ende hezitojnë të bëjnë kontrolle?
Të kujdesesh për veten nuk është dobësi, është forcë. Kanceri i prostatës kur kapet herët, është i trajtueshëm, me shkallë mbijetese mbi 98% në stadin lokal. Por kur lihet pas dore, pasojat janë shpesh të pakthyeshme.
Dhe për mbyllje, cili është apeli juaj si profesionist shëndetësor për shoqërinë në tërësi?
Në një shoqëri ku burrat rrallë flasin për shëndetin e tyre, është koha që ne si profesionistë, si komunitet dhe si sistem shëndetësor të thyejmë këtë tabu. Le të nisim sot një kulturë të re kujdesi, ku kontrolli për prostatën të jetë aq i zakonshëm sa kontrolli për tensionin apo diabetin. Shëndeti fillon me ndërgjegjësim. Shpëtimi fillon me kontrollin.
DIAGNOSTIKIMI DHE TRAJTIMI
STRATEGJITË E DIAGNOSTIKIMIT DHE TRAJTIMIT: Diagnostikim të hershëm me anë të PSA (Prostate-Specific Antigen) dhe kontrollit fizik DRE (Digital Rectal Examination).
Vlerësim të rrezikut gjenetik në individët me histori familjare përmes testimeve si BRCA2, HOXB13.
Imazheria me PSMA-PET/CT dhe përdorimi i MRI multiparametrike janë tashmë standardi për vlerësimin e saktë të sëmundjes.
TERAPITË MODERNE DHE TRAJTIMI I PERSONALIZUAR
Hormonoterapi të avancuar (ADT) me agjentë si Enzalutamide dhe Abiraterone.
Terapitë me radionuclide, përfshirë alfa-izotopet si 225AcPSMA-617, të cilat po tregojnë efikasitet të lartë në rastet metastatike rezistente ndaj kastrimit.
Imunoterapia dhe terapia targetuese (PARP inhibitorëve), të përdorura në raste të caktuara me mutacione gjenetike të konfirmuara.
EORTC dhe ESTRO theksojnë rëndësinë e përdorimit të Radioterapisë së drejtuar me imazhe dhe rrezatimi me intensitet të moduluar (IMRT/IGRT/VMAT) për të maksimizuar kontrollin lokal duke minimizuar efektet anësore.
REKOMANDIME STRATEGJIKE:
Fushatë kombëtare ndërgjegjësimi për PSA dhe simptomat e hershme të kancerit të prostatës.
Edukimi i mjekëve të familjes dhe popullsisë mashkullore për rëndësinë e kontrollit të rregullt.
Subvencionim i analizës PSA dhe mbështetje për qendrat diagnostike.
Përfshirja e testimeve gjenetike në protokollet për individët me rrezik të lartë.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












