TIRANË- Kreu i bashkisë së Tiranës, Edi Rama, njëherësh lideri i opozitës ka deklaruar prerë se nuk do të lejohet ‘ndotja’ e qytetit dhe as cenimi i bashkëjetëses me vendosje posterash e flamujsht të subjekteve partiake jashtë vendeve të përcaktuara.
Në një deklaratë për mediat, nga Spitali Ushtarak i Tiranës ku vizitoi kryeinspektorin e Ndërtimores së Bashkisë, Ardit Kaja, plagosur paraditen e sotme nga persona të paidentifikuar, Rama e ka lidhur këtë ngjarje me incidentin e një ditë më parë, me heqjen e flamujve të LSI-së, në njësinë 5. “Plumba në mes të Tiranës ndaj një punonjësi, i cili në zbatim të ligjit dhe kryerje të detyrës është përballur me dhunën dhe harbutërinë e asaj force politike që me paratë e vjedhura që gjithë Shqipëria i pa në bllokun e turpit ka dhunuar dhe ka ndotur qytetin tonë”- tha Rama.
Sipas tij, flamuj partish nëpër peme në cenim të pasurisë së përbashkët të qytetarëtve nuk shihen në asnjë vend të botës. “Dua ta nënvizoj se pavarësisht se PS nuk disponon mjetet e pallogaritshme financiare që ka pushteti i korrupsionit, ne jo vetëm që nuk kemi flamuj për të vendosur nëpër shtylla e pemë, por as një poster nuk do të ngjisim jashtë vendeve të lejuara, se qytetin e duam të pastër, se shqiptarët dhe qytetarët e Tiranës nuk ia kanë borxh asnjë partie ndotjen dhe as dhunimin e bashkëjetesës së tyre”- tha ai.











