TIRANË- Kryeprokurorja Ina Rama, duke theksuar domosdoshmërinë e ndryshimit të kuadrit ligjor për dhunën në familje ka deklaruar se ajo duhet të konsiderohet si vepër penale më vete, që deri më tani nuk është.
Gjatë një konference për dhunën në familje, e duke u ndalur posacërisht në dhunën ndaj grave, Ina Rama ka theksuar se për të qenë efikas dhe në ndihmë të viktimave, e padyshim për ndëshkim të mirë të autorëve, kuadri ligjor për dhunën në familje kërkon ndryshim. “Ligji përgjithësisht është zbatuar, por kërkohet ende shumë punë”- ka thënë ajo.
Sipas kryeprokurores, kuadri ligjor duhet të trajtojë të gjithë aktet e dhunës në bazë të rrezikshmërisë së tyre.
“Duhet të ndërmerret një reformë tërësore dhe të bëhet kujdes me normat që diskriminojnë gratë, të cilat duhet të rishikohen”- shtoi më tej Rama.
Sipas saj, një punë e mirë duhet të bëhet nga policia, jo vetëm në ndjekje të denocimeve, por edhe në krijimin e mjediseve të përshtatshme për mbrojtjen e të dhunuarave.
© Panorama.al











