Ilir Meta mbetet në burg, Kryemadhi me detyrim paraqitje! Çfarë ndodhi në 5 orë seancë gjyqësore, nuk munguan as tensionet dhe përplasjet

Oct 24, 2024 | 7:39

Gjykata la dje në fuqi masën e sigurisë “Arrest me burg” për ish-Presidentin Ilir Meta, si dhe “Detyrim paraqitje” për deputeten Monika Kryemadhi.

ilir meta ne gjyq

Në 5 orë seancë, ku palët u njohën me dosjen 167 faqe të SPAK, gjyqtari i posaçëm Erjon Çela la të pandryshuar masën e arrestit në burg për Metën. Kryemadhi me të njëjtat akuza si Meta, korrupsion, pastrim parash e fshehje të pasurisë, do të duhet të paraqitet në SPAK 1 herë në muaj. Për Pirro Xhixhon dhe Ema Çoku gjykata vendosi “Detyrim paraqitje”. Gjatë seancës pati përplasje mes Metës dhe gjyqtarëve.

Gjuhën e ashpër ndaj drejtësisë Ilir Meta e artikuloi edhe në dyert e gjykatës, përballë 3 prokurorëve të SPAK, të cilët kërkuan arrestimin e tij, Altin Dumanit, Arben Krajës dhe Sotir Kllapit. Në nisje të seancës me dyer të mbyllura, (ora 09:00) Meta iu drejtua me kërcënime të hapura, fjalë të rënda dhe ofenduese ndaj kreut të SPAK, duke e cilësuar “Dumduman”, “Qen” dhe madje ka kapur veshin duke i thënë “Këtu ta kam, mbaje mend çfarë kam për të të punuar”.

Nga ana e tyre të tre prokurorët nuk reaguan, por mbajtën qetësinë. Të njëjtën gjuhë përdori ndaj tyre edhe Monika Kryemadhi, e cila në eksperiencën e saj të parë me një seancë, ashtu siç paralajmëroi në hyrje të Gjykatës së Posaçme, u kujdes më shumë të shohë fytyrat e hetuesve dhe nivelin e tyre të inteligjencës. Gjuha e ashpër u qetësua me ikjen e Dumanit për shkak të agjendës dhe rinisjen e seancës në orën 13:30. Futjen në një sallë me Ilir Metën në seancën, drejtuar nga gjyqtari, Kryemadhi e quajti provokim

. “Qëllimisht na futën në një sallë për të marrë masa arresti në grup ku secili nga ne ka masën në mënyrë individuale”, tha Kryemadhi.

Për babain e deputetes Erisa Xhixho, Piro Xhixho nga arrest shtëpie për korrupsion pasiv gjykata caktoi detyrim paraqitje për shkak të gjendjes shëndetësore, ndërsa për Ema Cokun, mike e Kryemadhit mbeti në fuqi në masa detyrim paraqitje për pastrim parash. SPAK arrestoi më 21 tetor 2024 kreun e Partisë Ilir Meta, nën akuzë për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Të njëjtat akuza rëndojnë edhe ndaj Monika Kryemadhit. Çifti Meta-Kryemadhi akuzohen se ndër vite kanë ushtruar pushtetin e tyre për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme dhe kanë fshehur burimin e tyre duke përdorur edhe familjarët. 2 dosjet ndaj Metës, Cez-Dia dhe lobimi në SHBA janë bashkuar tashmë në 1 hetim.

Ndaj Piro Xhixhos, babai i Erisa Xhixhos, rëndon akuza korrupsion pasiv. Sipas SPAK ai dyshohet se ka shfrytëzuar autoritetin e tij si kryetari i AKEP-it, ku u propozua nga LSI-ja, dhe në zbatim të porosive të marra nga Meta dhe Kryemadhi ka ndikuar tek drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizmin e marrëveshjes, si dhe ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP. Ndërsa ndaj Ema Çokut rëndon akuza e pastrimit të parave. Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme, Meta u dërgua në paraburgimin “313”.

Ish-presidenti Ilir Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë në opozitë, akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për tri çështje korrupsioni; për dosjen e njohur si CEZ-DIA, për përfitimin e vlerave monetare në këmbim të influencës së ushtruar në favor të një kompanie telekomunikacioni si dhe për marrëdhënien e dyshuar korruptive me një biznesmen që SPAK e identifikon me inicialet S.M, në emër të të cilit është marrë përsipër ndryshimi i një ligji në Kuvendin e Shqipërisë. Meta akuzohet, gjithashtu, për kontratat e konsulencës dhe lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pastrimin e produkteve në blerjen e një shtëpie në Tiranë si dhe mosdeklarimin e shpenzimeve mjekësore për periudhën 2013-2019.

Sipas SPAK, akuza të ngjashme ka edhe deputetja Monika Kryemadhi, njëherazi bashkëshorte dhe bashkëpunëtore për dekada e Metës, të cilët ndodhen tashmë në një proces divorci. Ishkreu i AKEP, Pirro Xhixho akuzohet për korrupsionit pasiv, ndërsa Ema Çoku- një financuese e LSI ndodhet në masën e detyrimit për paraqitje para oficerëve të policisë gjyqësore për akuzën e pastrimit të parave. Meta dhe Kryemadhi i mohojnë akuzat dhe e konsiderojnë hetimin kundër tyre si të motivuar politikisht për të sulmuar opozitën në Shqipëri./Gazeta Panorama

© Panorama.al

Te lidhura