Idrizi në Vlorë: Ne jemi partia e çështjeve të mëdha

Apr 21, 2011 | 10:41

Përpara më shumë se katër mijë mbështetësve në Pallatin e Sportit të qytetit të Vlorës, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet çeli fushatën zgjedhore për qytetin bregdetar. Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, bëri thirrje që të gjithë të mbështesin PDIU-në si partia e çështjeve të mëdha të kombit shqiptar, si çështja kombëtare dhe në veçanti çështja çame. “Ju ftoj sot të gjithëve që të votoni Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, partinë e çështjeve të mëdha, partinë e të gjithë shqiptarëve. Ashtu sikurse është edhe Vlora e të gjithë shqiptarëve, e labëve dhe e çamëve, vendi ku u ngrit Flamuri Kombëtar dhe ku u krijua shteti shqiptar”, tha Idrizi. Deputeti Dashamir Tahiri bëri thirrje që të mbështetet PDIU dhe kandidati i koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Ardian Kollozi. Deputeti i PDIU-së tha se ajo nuk është vetëm partia e çështjeve kombëtare, por edhe partia e përfaqësimit. “Ne sot mbështesim kandidaturën e Ardian Kollozit për kryetar të Bashkisë Vlorë. Sepse Ardian Kollozi, përveçse ka qenë gjithmonë me ne në Qafë-Botë, është edhe i vetmi deputet që ka votuar kundër marrëveshjes për varrezat e ushtarëve grekë në Parlamentin shqiptar”, tha Tahiri.

© Panorama.al

Te lidhura