Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, reagoi dje në lidhje me ndalimin e të moshuarve çamë në kufirin shqiptaro-grek. Gjatë një takimi elektoral në Korçë, ai deklaroi se në rast se do të përsëriten incidente të këtij lloji, atëherë do të vijohet me protesta masive dhe me bojkotim të produkteve greke. “Në rast përsëritjeje të këtyre incidenteve, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet është e detyruar të përshkallëzojë reagimin e saj nëpërmjet protestave masive dhe thirrjes ndaj qytetarëve shqiptarë që të bojkotojnë çdo produkt grek në tregun vendas”, tha Idrizi, teksa prezantoi kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin” për Bashkinë e Korçës, Andrea Mano. Duke folur më pas për platformën ekonomike të PDIU-së, Idrizi theksoi se Korça duhet të kthehet një nga qendrat kryesore të rajonit, pasi ka të gjitha elementet e nevojshme. Sipas tij, si zhvillim ekonomik që ka në thelb patriotizmin, Korça duhet të jetë një ndër qendrat kryesore ekonomike dhe kulturore. “Jo rastësisht unë ju referova patriotizmit historik dhe modern shqiptar, këtu në Korçë. Këtu Rilindja kombëtare, patriotizmi historik u mbështet nga një zhvillim ekonomik dhe kulturor i jashtëzakonshëm. Korça, pellgu përreth saj i dhanë ngjyrën e vet, i dhanë cilësinë e vet Rilindjes kombëtare me figurat e shquara Fan Nolin, Themistokli Gërmenjin, Petro Nini Luarasin, e shumë e shumë të tjerë”, deklaroi kreu i PDIU-së, ndërsa shtoi se ky patriotizëm u mbështet nga një zhvillim i madh ekonomik, nga një grumbullim kapitali, nga kontribute të mëdha të bijve të Korçës që jetonin në diasporë.











