FIER – Familjarët e 74-vjeçarit Koli Rrapi, që u vra me mjete të forta në banesën e tij, akuzojnë institucionin spitalor që la të lirë djalin e sëmurë mendor të viktimës, ende pa u përmirësuar gjendja e tij. 42-vjeçari Aleko Rrapi ka shfaqur edhe pas arrestimit paaftësi mendore, ndërsa nuk ka pranuar të kishte kryer krimin brenda familjes. “Nuk e kam vrarë babanë. Ai është në shtëpi. Më lini të shkoj tek ai”. Kështu mësohet të ketë reaguar 42-vjeçari i cili vetëm 7 ditë para se të ndodhte krimi i rëndë, kishte dalë nga Spitali Psikiatrik i Vlorës. Burime të policisë bënë të ditur se Aleko Rrapi ka reaguar në mënyra të papërgjegjshme edhe në ambientet e izolimit, duke konfirmuar kështu papërgjegjshmërinë mendore të tij. Ai po mbahet nën vëzhgimin e mjekëve. Mësohet se para 7 vitesh, 42-vjeçari ishte kthyer nga SHBA-ja, pasi i kishin përfunduar afatet e dokumenteve të qëndrimit atje. Pas kthimit në Shqipëri, ai kishte shfaqur luhatje të shëndetit mendor e sjellje agresive të herëpashershme ndaj prindërve të tij. Madje, këta të fundit i kishin kërkuar ndihmë policisë për dhunën që ushtronte i biri ndaj tyre. Por, pas shoqërimit, blutë e kishin lënë të lirë për shkak se ai ishte konsideruar i paaftë mendërisht. “Ai vuante prej disa vitesh nga çrregullimet mendore. E shfaqte herë pas herë. Ne, si familjarë, bëjmë fajtor institucionet spitalore të shëndetit mendor, të cilat nuk duhet ta linin atë të lirë”, u shprehën të afërm të viktimës. Ende nuk konfirmohet nëse ndaj 42-vjeçarit do të merret masa e arrestit, apo nëse më parë ai do të kalojë në spitalin e burgut, për t’u trajtuar në ambientet e psikiatrisë. m.r











