I përfshirë në rrjetin e trafikut të kokainës, arrestohet shqiptari me precedentë! Droga iu gjet në kavanozë të mbushur me suplemente për sportistët

Dec 12, 2025 | 20:29

Policia italiane e Savonës njoftoi arrestimin e një 26-vjeçari shqiptar, i përfshirë në rrjetin e trafikut dhe shpërndarjes së kokainës në zonë.

savona shqiptari kokaine

I riu, i skeduar më parë nga oficerët për precedentë që lidhen po me drogën, ishte vënë nën vëzhgim nën dyshimin për aktivitete të paligjshme. Hetuesit e zbuluan atë në shtëpinë e tij, gjatë një operacioni të synuar për drogë, i cili rezultoi në arrestim.

Një kontroll i të gjithë banesës çoi në zbulimin dhe sekuestrimin e mbi 50 gramëve kokainë, të ndarë në 107 doza, të fshehura brenda kavanozëve që përmbanin shtesa ushqimore të destinuara për atletët.

Përveç drogës, u sekuestruan edhe dy telefona celularë dhe mbi 2000 euro në para të gatshme, që besohet të jenë të ardhurat nga trafiku i drogës, si dhe gjithçka që nevojitej për paketimin e dozave, informon media italiane.

I arrestuari u dërgua në burgun Marassi në Xhenova, ku u vu në dispozicion të autoriteteve gjyqësore.

© Panorama.al

Te lidhura