Një person i akuzuar dy herë më parë për plagosje, kreu të njëjtën vepër penale në Kashar, duke plagosur një person për motive banale. Erjol Hajdari, 20 vjeç, i liruar nga arresti katër muaj më parë, u arrestua përsëri pasditen e djeshme.Ai është vënë në pranga nga forcat e policisë së Komisariatit nr.6. Akuza kundër tij, ashtu si edhe në ngjarjet e mëparshme, është “plagosje e rëndë me dashje” dhe “armëmbajtje pa leje”. Burime zyrtare nga policia e Tiranës thanë se i arrestuari Erjol Hajdari brenda një harku kohor prej një viti kalendarik, ka plagosur katër persona, në Kashar dhe Yrshek, pa ndonjë motiv konkret, vetëm nga konflikte të momentit. Rasti më i fundit ndodhi dje rreth orës 15:30, sërish në fshatin Kashar, ku ai banon. Sipas policisë, 20-vjeçari Erjol Hajdari, në bashkëpunim me bashkëmoshatarin e tij Olti Ryçi, nga Yrsheku, kanë rrahur, kanosur me armë duke qëlluar në ajër e më pas kanë plagosur duke e goditur me tytën e pistoletës në kokë, 26-vjeçarin Ervin Aluku. Ngjarja sipas policisë ka ndodhur pa ndonjë motiv konkret, vetëm e vetëm se Aluku ka shikuar shtrembër Hajdarin dhe ky i fundit ka deklaruar në polici, se e kishte paralajmëruar të riun edhe më parë, që t’i qëndronte larg dhe të mos e shikonte me ironi. I dëmtuari është dërguar me disa plagë të rënda në kokë në Spitalin Ushtarak dhe sipas mjekëve e ka kaluar rrezikun për jetën. Ndërsa policia e mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, ka arrestuar autorët e dyshuar, Erjol Hajdarin dhe Olti Ryçin.
PLAGOSJET
Konfliktet e herëpashershme të Erjol Hajdarit me banorët e fshatrave Kashar dhe Yrshek, sipas policisë kanë nisur që prej vitit 2009, kur 20-vjeçari ka filluar të mbajë me vete një pistoletë pa leje. Me këtë armë ai kërcënonte të gjithë ata persona që e shihnin shtrembër ose e ofendonin. Kërcënimet me fjalë dhe me drejtim arme u kthyen brenda pak kohësh në rrezik për bashkëfshatarët e tij, pasi për një vit Hajdari plagosi katër persona për motive banale. I riu nga Kashari u arrestua për herë të parë nga policia e Tiranës, më 20 janar të vitit 2010, pasi akuzohej se kishte plagosur duke tentuar të vriste shtetasin Lulzim Duka, në ambientet e një lokali. Pas ngjarjes, autori mundi të largohej dhe u shpall në kërkim për t’u arrestuar disa muaj më pas. Sapo përfundoi dënimin prej 10 muajsh të dhënë nga gjykata për këtë ngjarje, Erjol Hajdari përfundoi sërish në pranga për një plagosje të dyfishtë. Më 17 qershor të vitit 2010, 20-vjeçari në bashkëpunim me një tjetër, plagos me tytën e pistoletës dy djem nga Yrsheku, Martin Elezin dhe Fatri Osmanllarin. Për të njëjtin motiv, edhe pasditen e djeshme, Hajdari plagosi 26-vjeçarin Ervin Aluku, duke e goditur me tytën e pistoletës, disa herë në kokë.
LIRIMI NGA ARRESTI
Me një vendim të datës 12 nëntor të vitit 2010, Gjykata e Tiranës urdhëroi lirimin e të dënuarit Erjol Hajdari, i dënuar me 10 muaj burg, pasi kishte plotësuar dënimin me ditët e paraburgimit. Dënim që Hajdari e ka shlyer plotësisht me masën e sigurisë “arrest shtëpie”, të vendosur nga gjykata, 3 ditë pas arrestimit të tij më 17 qershor të vitit 2010.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











