Një 75-vjeçar nga Tirana ka humbur jetën paraditen e kësaj të enjteje në plazhin e Orikumit, ndërsa dyshohet se ka pësuar një infarkt kardiak teksa ishte duke u larë në det.
Sipas informacioneve paraprake, i moshuari kishte shkuar për pushime së bashku me familjen. Rreth orës 11:30, pasi ka hyrë në ujë, ai është ndier keq dhe ka humbur ndjenjat.
Pushuesit dhe familjarët e kanë nxjerrë menjëherë në breg dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Në vendngjarje ka mbërritur ambulanca e Orikumit, ndërsa stafi mjekësor ka kryer manovrat e reanimimit, por 75-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë.
Paraprakisht dyshohet se shkaku i vdekjes ka qenë një arrest kardiak, ndërsa pritet konfirmimi i plotë i rrethanave nga autoritetet përkatëse.
© Panorama.al












