Pedagogu i njohur Lush Susaj, ka qenë një prej protestuesve që ka mbajtur fjalim të fuqishëm përpara mijëra qytetarëve në bulevardin përballë kryeministrisë, duke vlerësuar praninë e nënave dhe fëmijëve si aktin final të fundit të sistemit aktual, teksa kërkoi rrëzimin e qeverisë pas skandaleve korruptive të panumërta.
Ai e cilësoi qeverisjen 13-vjeçare si një kohë të humbur nën drejtimin e një kaste të korruptuar që nuk la pasuri kombëtare pa prekur.
Me tone të ashpra ndaj drejtuesve të shtetit, Susaj u shpreh se rezistenca popullore tashmë ka marrë përmasa që nuk mund të ndalen më.
“Dolën në shesh nënat dhe foshnjat që janë engjëjt e Shqipërisë. Shpreh mirënjohje për çdo protestues dhe nënat e Shqipërisë kanë firmosur me dorën e tyre rrëzimin e diktaturës më të ndyrë, 36 vjet kohë e humbur me horra e spurdhjakë të korrupsionit që nuk lanë tokë pa vjedhur e ligj pa shkelur”.
Gjatë fjalës së tij, profesori Susaj nuk la pa përmendur edhe mbështetjen ndaj partnerëve strategjikë, duke u bërë thirrje forcave të djathta dhe investitorëve të huaj për një Shqipëri të çliruar nga ndikimet që ai i cilësoi si “sorosiane”.
madje pedagogu nuk nguroi të ligjëronte edhe një poezi të shkurtër në vargje për protestën, duke ndezur entuziazmin e të pranishmëve.
“Respekt për investitorët në Shqipëri, sidomos për BE, SHBA dhe presidentin Donald Trump që po ua shkulim rrënjët sorosianëve e komunizmit, diktaturës më të ndyrë.”
Ai u drejtua me një thirrje vëllazërore dhe profesionale drejt botës akademike, duke kërkuar që mësuesit dhe profesorët të lënë auditorët dhe të rreshtohen në krah të rinisë në shesh.
“U bëj thirrje mësuesve dhe profesorëve të Shqipërisë, o kolegë të nderuar hajdeni në shesh krah studentëve tuaj”.
© Panorama.al











