Ndërsa Kombëtarja shqiptare zbret këtë mbrëmje në fushë për ndeshjen miqësore ndaj Luksemburgut, e programuar të luhet në orën 20:00, Tifogrupi “Tifozët Kuqezi” ka vendosur të mos jetë i pranishëm në stadium.
Përmes një qëndrimi publik, grupimi më i madh i tifozëve të Kombëtares ka zgjedhur të bojkotojë sfidën dhe të marrë pjesë në protestën qytetare kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Tifozët Kuqezi do t’i bashkohen qytetarëve të mbledhur në shesh, në atë që shënon ditën e shtatë radhazi të protestave. Sipas organizatorëve, tubimet po vijojnë me kërkesa që lidhen me çështje të interesit publik dhe kundërshtimin e politikave të qeverisë.
Mbështetja për protestën nuk ka ardhur vetëm nga qytetarët, por edhe nga figura dhe individë të njohur të botës së sportit në Shqipëri, të cilët janë solidarizuar me kauzën e protestuesve.
Kështu, në mbrëmjen kur vëmendja sportive është përqendruar te ndeshja Shqipëri-Luksemburg, një pjesë e tifozërisë kuqezi ka zgjedhur të japë një mesazh jashtë fushës së lojës, duke marrë pjesë në protestën qytetare.
© Panorama.al















