Aktorja e njohur Rajmonda Bulku, e cila mori pjesë në homazhet në nder të aktorit Fitim Makashi, në një prononcim për mediat e përshkroi atë si një njeri me karakter, luftarak dhe brilant në profesionin e tij.
Bulku tha ndër të tjera, se Fitim Makashi ishte burrë i rrallë në oborrin e teatrit. Ajo tha se ai do të mbahet mend si një aktor brilant i karaktereve të ngrohta.
“Ju nuk e kuptoni sesa dhimbje, por dhimbje e bukur, sa bukur ta kujtosh një njeri sesa shpirt të madh kishte. Ashtu siç kishte në rolet e tij xheneroze, ashtu ishte edhe në jetë. Një Fitim që do ta kujtojmë gjithmonë. Gjithmonë luftoi që në ato ambientet e teatrit të kishte një palestër që aktorit i duhej. Ishte edhe luftarak me heshtjen dhe mençurinë e tij, sigurisht që nuk ishte zë i fortë. Pra një njeri i përkushtuar në profesion, një partner i shkëlqyer, shumë xheneroz. Aktor brilant i karaktereve të ngrohta. Fitimi krijonte një karakter që e mbaje mend, nuk e harroje, burrë i rrallë në oborrin e teatrit”, tha Bulku.
© Panorama.al












