
Uvil Zajmi
NA ISHTE NJË HERË KAMPI I PIONIERËVE “QEMAL STAFA” NË DURRËS
Sa herë që vjen periudha e verës, plazhit, të sjell në kujtesën e largët, mënyrën, format që çdo familje, çdo shqiptar nga i vogël, i rritur organizoheshin për të pushuar, kaluar disa ditë pranë detit. Me to edhe kampet e pionierëve, aq të dashura për atë moshë, sigurisht të ruajtura në memorien e secilit edhe në vitet që do të pasojnë.
“Edhe unë kam qenë në Kampin e Pionierëve….”, pasi nuk ka pionier e pioniere që të mos ketë kaluar, qëndruar e pushuar të paktën një herë në një kamp veror ose dimëror. Bashkë me fletën e kampit, instruktorët, drejtuesit, ngritjen e flamurit deri edhe burizanin me burinë dhe tingullin e saj “Ta….ta….ta….ta…….”janë të paharruara. Aq më shumë sot, ai rikthim ngacmohet sa herë që do të kalosh pranë ish-kampeve, ish-ndërtesave, sot të transformuara, ndryshuar, me pak ose aspak gjurmë të lënë nga ajo kohë. Vetëm çfarë mund të shohësh në fotografitë e kohës që mund të ndihmojnë sadopak. Për mua, rikthimi tek ai kamp, ishte edhe pak rastësi, kur në një ndër dyqanet antikuarë të Tiranës i interesuar për diçka, syri më zuri një buri. Një buri normale, jo tipike të orkestrave, bandave frymore, por një buri shumë e njohur dhe që ende sot e ruaj tingullin e saj.

Pellumb Gjebrea me pionierët
Një tingull i paharruar i lidhur me kampin, kur nga mëngjesi deri në mbrëmje, gjithçka ishte e shoqëruar me të. Ajo ishte e para dhe e fundit që me sinjalin saj do të nisje e do të mbyllje aktivitetin ditor. Ishte e pandarë, pa të kampi, qëndrimi në të nuk kishte kuptim. Buria më tërhoqi vëmendjen, e morra në dorë, e shikoja me vëmendje, kuriozitet. Shitësi, një miku im, duke ditur pasionin tim për të tilla sende, më thotë: “Është buria që i kanë rënë në kampion e pionierëve në Durrës”, duke më treguar edhe një revistë “Fatosi” të kohës, ku shihet qartë, djaloshi burizan me burinë. I ruante të dyja bashkë, për të konfirmuar njëra-tjetrën.
U largova i emocionuar, por atë buri, bashkë me revistën, nuk e lashë aty, e kam në shtëpi. Një kujtim i bukur, ndonëse vlera monetare e saj shumë modeste nuk ishte asgjë para vlerës historike së saj. Ishte edhe ky një argument që më nxiti të shkruaj këtë rrëfim-kujtues, për atë kamp, për ato breza. Si e kujton sot, Kujtim Plaku, burizani i vogël, kur me tingullin e saj zgjonte çdo ditë pionierët, pastaj ngritja e flamurit, deri kur me sinjalin e saj ata shkonin për të fjetur. “Buria ishte simbol i kampit”, thotë për “Panorama”, muzikanti i njohur durrsak.
NA ISHTE NJË HERË KAMPI I PIONIERËVE “QEMAL STAFA” NË DURRËS

Me emrin e heroit kombëtar, i projektuar dhe i vendosur te Plepat, siç njihet ajo zonë pas Ilirisë, aty ka qenë Kampi i Pionierëve, “Qemal Stafa”. Në atë zonë të njohur për ish-vilat e Bllokut, Konvaleshencën e Ministrisë së Brendshme dhe atë të Mbrojtjes, në hapsirën midis tyre për shumëvjecarë ka qenë edhe kampi veror i njohur për pionierë e pioniere, më i madhi në të gjithë vendin. Me disa ndërtesa njëkatëshe, afër njëratjetrës, fusha sportive, gjelbërim, një shesh qendror ku bëhej grumbullimi i pionierëve çdo mëngjes shoqëruar me ritualin e ngritjes së flamurit, bashkë me mensën, kapanonet ku pionierët flinin me krevate marinari. Në çdo tur, deri në 1000 pionierë nga e gjithë Shqipëria kalonin pushimet aty. Gjithçka e organizuar me instruktorë-mësues për çdo grup, kompani, me programe ditore sportivo-kulturore, ku merrnin pjesë të gjithë. Me qendrën shëndetësore, personelin mjekësor gjithmonë në gatishmëri. Nisja dhe kthimi i pionierëve nga qytetet e tyre ishte i organizuar me autobusë. Të tilla kampe, por më të vegjël, kishte thuajse në të gjithë bregdetin, si në plazhet Shëngjin, Vlorë dhe ato liqenorë, Shirokë, Pogradec. Njëkohësisht, funksiononin edhe kampet malore, si në Dajt, Voskopojë, etj. Sigurisht, më të pëlqyera për pionierët ishin ato buzë detit, në veçanti “Qemal Stafa” në Durrës. Ato funksiononin në periudhën e verës, ose më mirë në tri muajt e nxehtë, qershor, korrik, deri në mesin e muajit gusht, për t’u mbyllur në prag të fillimit të sezonit shkollor që niste me 1 shtator. Vajtja aty sigurohej me fletë kampi që familjarët për fëmijët e tyre i merrnin nga qendra e punës ndërmjet bashkimeve profesionale, të cilat shpërndanin për pionierë, nxënës të dalluar në të gjithë Shqipërinë. 800 lekë kushtonte, ndërsa për fëmijët e minatorëve e naftëtarëve ajo ishte falas. Por, ai kamp ka qenë shumë i frekuentuar edhe nga pionierë të huaj. Kryesisht gjatë kohës së miqësisë me vendet demokratike, në Kampin e Pionierëve “Qemal Stafa”, vinin për të kaluar pushimet në çdo sezon rreth 100 pionierë nga Rusia, Gjermania, Polonia, Bullgaria, etj. Madje më 1964, në këtë kamp si vizitorë do të jetë edhe një grup me pionierë belgë, diçka e rrallë për kohën. Gjatë qëndrimit ato njiheshin, me aktivitetet e ndryshme të pionierëve shqiptarë dhe merrnin pjesë në ngritjen e flamurit çdo mëngjes. Një jetesë në komunitet, pa mësuar, larg shtëpisë, për atë moshë nuk ishte e lehtë.

SPARTAKIADAT E FAMSHME SPORTIVE TË PIONIERËVE
Kanë qenë të famshme për kohën, vitet, periudhën. Nuk ka pionier, që të mos ketë luajtur aty, duke përfaqësuar qytetin e tij. Edhe për këtë fakt është bërë i njohur Kampi i Pionierëve “Qemal Stafa”, pasi vetëm aty janë zhvilluar të famshmet Spartakiadat Sportive për pionierë. çdo vit, aty merrnin pjesë pionierë-sportistë, mbi 600, një aktivitete masiv, i jashtëzakonshëm, tejet e frekuentuar, i dashur dhe nga ku janë zbuluar talente, që më pas kanë shkruar historinë e sportit kombëtar. Në harkun e dy javëve në fushën e futbollit në lindje të kampit, rrethuar me disa shkallë për spektatorët, në çdo paradite, mesditë, ajo do të gjallërohej nga rivaliteti, golat, entuziazmi, që shoqëronte takimet e futbollit, të basketbollit, volejbollit. Ai ka qenë dhe mbetet ende sot, një turne i paharruar specifik për të gjithë. Të fitoje spartakiadën e pionierëve ishte eveniment i madh për qytetin. Veçanërisht futbolli. Aktiviteti programohej në dyjavorin e dytë të muajit gusht, kur pionierët pushues ishin larguar, për t’ia lënë vendin sportistëve pionierë. Ai aktivitet i zhvilluar pikërisht në Kampin e Pionierëve “Qemla Stafa”, ka qenë më shumë se një festë, jo për konkurruesit, pjesëmarrësit, por për gjithë vendin. Në ceremonitë hapëse, mbyllëse merrnin pjesë, ishin të pranishëm edhe drejtues të lartë të shtetit, ndërsa shtypi sportiv i kushtonte vëmendje me informacionet e tij atij aktiviteti madhor. Në një kënd ishte tabela shoqëruar me rezultatet sportive të spartakiadës.
KUJTIM TURKU: “AI BURIZANI I VOGËL, KËSHTU MË KUJTOJNË EDHE SOT”
Këngëtar, kompozitor, muzikant, jo vetëm në Durrës ku banon, por i njohur kudo, për këngët që ka kompozuar kryesisht për fëmijë, si dhe pjesëmarrës në shumë festivale të qyteteve të ndryshme, përfshirë edhe atë tradicional në Shkodër. Pas kaq vitesh, Kujtim Turku i rikthehet me shumë nostalgji, kujtime, detaje, jetës në Kampin e Pionierëve “Qemal Stafa”. Ka qenë një ndër burizanët e njohur, kur ai me burinë e tij ishte kthyer si pionieri më i dashur për kampistët: “Buria ishte simbol i rregullit, disiplinës, shumë e dashur për pionierë e instruktorë, kur ata dëgjonin ‘tatata’-në, thotë Turku për gazetën.

Kujtim, një fëmijë i talentuar keni qenë?
Ndonëse i vogël, fund vitet ’70 kanë qenë, dallohesha si një pionier i shkathët. Këndoja bukur, isha i njohur në mjediset artistike të Durrësit. Ishte një moment kur kërkohej një pionier që duhet t’i binte burisë në Kampin e Pionierëve në Plepa. Ta provojmë Kujtimin, tha dikush në rrethin, dega e muzikës në Pallatin e Pionierëve në Durrës.
I vogël, 8-9 vjeç mund të keni qenë, pionier, ende nuk i njihnit veglat muzikore?
Bëhet fjalë që burizani duhet të ishte pionier. E vërtetë që në atë moshë askush nuk ishte shkolluar për vegla. Pra, duhej thjesht një rënie e saj. E kishin provuar edhe fëmijë të tjerë e provova edhe unë. Buria ishte e thjeshtë, pa pistona.
Pate vështirësi në atë fillim?
Ato ishin melodi thirrje, që do të shërbenin si jehonë. Duhej të kishe vesh dhe intuitë t’i bije burisë si kërkohej. Më panë që mbajtja e buzëve, vendosja te bukina e burisë ishte e mirë, sikur të kisha studiuar kështu iu duk atyre, më morën. “Ta.. ta…. Ta… ta….”, kujtoj kur i rashë, ishte hera e parë që e provoja. Për çdo eveniment kishte melodi ndryshe. Nga mëngjesi për zgjim, ngritja e flamurit, vajtja në mensë, dalja, qëndrimi aty, gjithçka me buri. Në plazh për hyrje e dalje nga uji, kishte thirrje tjetër dhe çdo ritual kishte burinë dhe tingulli i saj që ishte simbol për të gjithë, i edukimit me rregullin e disiplinën.
Çfarë kujton, më shumë nga ajo kohë kampi?
Flija në një dhomë, fjetore, në krevat marinari. Zgjohesha herët, vija shallin e pionierit, kisha vendin tim, te Sheshi i Flamurit dhe me burinë që e mbaja lart, jepja sinjalin “ta…ta…ta…ta…”, një tingull i fortë, i bukur, kumbues me te cilin në pak ditë pionierët u mësuan. Momenti i rëndësishëm ishte kur ngrihej flamuri. Gjatë ditës unë isha i fundit që flija, pasi të kisha dhënë komandën, “pionierë të gjithë në gjumë”.
Të merrnin “inat”, kur me burinë tënde i nxirrje nga uji?
Ishte kënaqësi t’i thirrje pionierët. Të gjithë dëfreheshin më shumë se unë, ishin më të lirë, unë jo shumë. Vetëm një tur me pionierë. Pastaj vinin të tjerë burizanë, me të cilët zëvendësoheshim. Por dëshira ishte e madhe, kam bërë për disa vite, pastaj u rrita deri, kur vjen mosha që nuk je më pionier.
© Panorama.al











