Hiqet si femër, plagoset transvestiti

Apr 8, 2011 | 11:50

Tiranë, 45-vjeçari qëllon me thikë “Anxhelën”, e pagoi për seks

Plagoset në qendër të Tiranës transvestiti 26-vjeçar, i njohur me emrin Anxhela.Ngjarja ka ndodhur pas Pallatit të Kulturës në kryeqytet, në orët e vona të mbrëmjes të së mërkurës. Një patrullë policie e Komisariatit nr.1, e cila po lëvizte përreth zonës, ka marrë dijeni për ngjarjen. Policët që kanë parë një konflikt, janë afruar për të parë çfarë po ndodhte, kur kanë dëgjuar të bërtitura me zë të lartë dhe fyerje mes dy personave. Në momentin kur punonjësi i policisë është afruar për të shuar konfliktin e dyshuar mes dy personave, është konstatuar se bëhej fjalë për 26-vjeçarin Fatjon Hoxha, travestit që njihet me emrin Anxhela. Personi tjetër që po debatonte, e kishte goditur travestitin disa herë me biçak, duke i shkaktuar plagë të lehta. Autori i ngjarjes, ishte një burrë 45-vjeçar, banues në Kamzë, i identifikuar si Lulëzim K. Në këtë kohë, punonjësi i policisë ka kërkuar grupin e gatshëm që të shkonte në vendin e ngjarjes, por Lulëzim K., i irrituar nga ajo çfarë i kishte ndodhur, ka goditur edhe punonjësin e policisë. Autori i plagosjes së Anxhelës, ka bërë edhe rezistencë, teksa shoqërohej drejt makinës së policisë, për t’u transportuar në Komisariatin nr.1. Burime nga policia e kryeqytetit thanë se në harkun kohor brenda prej 9 muajsh, Anxhela është hera e dytë që jep deklarime në Komisariatin nr.1 për plagosje. Në ndryshim nga hera e parë, kur rezultoi se transvestiti kishte mashtruar për shkak se ishte vetëplagosur, kësaj herë policia ka kapur në flagrancë autorin e dhunës së ushtruar me një biçak. Mësohet se homoseksuali Fatjon Hoxha nuk ka pësuar dëmtime serioze që mund të përbëjnë rrezik, përveç disa gërvishtjeve të lehta në pjesë të ndryshme të trupit.
AUTORI I PLAGOSJES
Policia e Tiranës tha dje se ka ndaluar autorin e plagosjes së tranvestitit ndaj të cilit ka filluar procedim penal edhe me akuzën e kundërshtimit të punonjësve të rendit. Burimet nga policia thanë se ndaj autorit të ngjarjes është ngritur akuza se ka goditur me mjete prerëse transvestitin Fatjon Hoxha (Anxhela). Autori i ngjarjes akuzohet edhe për “goditje për shkak të detyrës” dhe “kundërshtim të punonjësit të rendit publik”. Nga ana tjetër, është vendosur që 45-vjeçari Lulëzim K. të hetohet në gjendje të lirë. Gjatë deklarimeve të tij në Komisariatin nr.1, pas ndalimit, 45-vjeçari është shprehur i penduar për goditjen e punonjësit të policisë, duke u justifikuar se ishte i irrituar me atë çfarë i kishte ndodhur, madje nuk e ka kuptuar se personi që iu afrua ishte punonjës policie. Ndërsa goditjen e Anxhelës me mjete prerëse, ka deklaruar se e ka kryer në shenjë hakmarrjeje, sepse e kishte mashtruar duke iu prezantuar si femër. Sipas dëshmisë së të dyshuarit, në momentin kur e ka zbuluar se personi që kishte takuar mbrapa Pallatit të Kulturës, të cilin edhe e kishte paguar për marrëdhënie seksuale, ishte transvestit, është nervozuar, duke e goditur me biçak. Nga ana tjetër, Anxhela ka shpjeguar se nuk i ka thënë të vërtetën autorit, pasi pretendonte se ai mund ta njihte dhe e dinte që ishte homoseksual.

TRANSVESTITI

Transvestiti i njohur si Anxhela, emri i vërtetë i të cilit është Fatjon Hoxha, ka pohuar në polici se personi që e ka qëlluar i dinte shumë mirë prirjet e tij seksuale dhe gjithçka e ka bërë me qëllim. Anxhela ka përmendur sërish se ndihet e diskriminuar, madje edhe e rrezikuar në shumë raste, duke pretenduar se personi që e plagosi, donte ta vriste, por shpëtoi falë ndërhyrjes së policisë.

Anxhela u vetëplagos 9 muaj më parë

Transvestiti që është qëlluar me thikë së fundi në qendër të Tiranës, ka pasur edhe më parë incidente me policinë. Mbrëmjen e 29 majit të vitit 2010, policia e Tiranës u njoftua nga Spitali Ushtarak se një Fatjon Hoxha (Anxhela) ishte paraqitur në urgjencë me një plagë në bark dhe pretendonte se ishte plagosur. Gjatë deklarimeve që Anxhela dha në polici, pati disa kontradikta që më pas u përforcuan edhe nga raporti mjekësor, ku thuhej se plaga ishte e vjetër dhe ishte ngacmuar, me qëllim që të dukej si plagosje. Policia tha se transvestiti ishte vetëplagosur, pranë parkut “Rinia”, duke sajuar një sulm të pretenduar fizik ndaj tij me argumentin e diskriminimit.

 

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura