
LEZHE- Dy të akuzuarit për masakrimin me 20 thika të Anisa Opingarit pritet të dalin sot në Gjykatën e Lezhës nga ku do t’iu komunikohet masa e sigurisë. Burime të Policisë së Lezhës bënë të ditur detaje të hetimit, të cilat zbuluan edhe ngjarjen e rëndë që tronditi mbarë opinionin. 25-vjeçarja, nënë e dy fëmijëve, kishte vendosur të shkonte bashkë me Sokol Baçkën dhe shokun e këtij të fundit, Genci Biçmetin për të drekuar në Shëngjin të Lezhës. Zbulimi i autorësisë së dy fierakëve, 26 dhe 43 vjeç, është bërë pas verifikimeve të tabulateve të thirrjeve të fundit që kishte kryer viktima. Mësohet se numri i fundit që kishte komunikuar me Anisa Opingarit ishte ai i regjistruar me emrin e Sokol Baçkës. Ky i fundit i kishte premtuar martesë 25-vjeçares, ndonëse qëllimi i tij, në bashkëpunim edhe me mikun e tij, ishte shfrytëzimi i saj në disa hotele të Lezhës. Në sajë të hetimeve të kryera, ka rezultuar se 26-vjeçari e ka marrë viktimën me makinën e mikut të tij, në afërsi të banesës së saj. Më pas, ata janë nisur drejt Lezhës. Por, nëna e dy fëmijëve nuk ka pranuar të ushtrojë prostitucion, çka i ka shkaktuar edhe vdekjen. Gjatë hetimeve të kryera, dy autorët për të mos rënë në sy nuk janë takuar për shumë kohë, por kanë mbajtur kontaktet me telefon. Policia i ka të dokumentuara tashmë me vendim gjykate bisedat, të cilat janë përgjuar me metodat speciale të hetimit. Anisa Opingari u gjet e masakruar më 25 korrik nga disa pushues të Shëngjinit. r.n











