Tregohet një ndodhi nga jeta e Shkollës Teknike Amerikane në vitet ‘20 të shekullit të kaluar, kur i mirënjohuri Harry Fultz, drejtori i saj, shkurtoi përgjysmë racionin e mishit në ushqimin e konviktit dhe mbas disa ditësh e reduktoi dhe më atë. Reagimi i konviktorëve qe heshtja. Harry Fultz njihet dhe vlerësohet sot si një personalitet i shquar që ndikoi më fort se të gjithë arsimtarët e huaj që kontribuuan në zhvillimin e arsimit te ne dhe siç dihet, shumica e tyre kanë qenë cilësorë dhe për t’u respektuar.
Provë e veçantisë tij vlen fakti që iu hodh baltë më fort nga regjimi komunist, i cili nuk ia kurseu epitetet negative si agjent dhe armik, e duke dënuar rëndë thuajse të gjithë studentët që dolën nga shkolla e tij. Veprimi i lartpërmendur “administrativ” i pedagogut amerikan kishte të bënte me edukimin e brezit tonë të ri si njerëz të lirë, pra me një mendësi që të lirohej nga zakoni shekullor i respektimit të të fuqishmëve, për ta zëvendësuar me debatin që çdo adoleshent duhet të zhvillonte, qoftë me prindërit, ashtu edhe me mësuesit dhe me autoritetin në emër të qytetarisë dhe të arsyes.
Pasivitetin me të cilin ishte pritur masa e tij e papritur në punë ngrënie, ia konfirmoi profesorit amerikan përshtypjen të formuar prej kohësh mbi apatinë tonë, origjinën e së cilës ai patjetër ua ngarkonte kushteve të veçanta historike të vendit. Në fund të këtij eksperimenti, le ta quajmë ashtu, ai i mblodhi konviktorët dhe u “kërkoi llogari” pse mungoi protesta nga ana e tyre. Një kërkesë mëse e drejtë, madje e rëndësishme. Një i ri në kontakt të përditshëm me një njeri përfaqësues të pragmatizmit, i cili u kishte dhënë shembullin personal për çdo vështirësi që paraqitej, ndër të tjera, për sahatin e studentit të rënë në llomin e ujërave të zeza, dhe ai përvesh mëngën dhe ua nxjerr, nuk ka arsye pse të mos kërkojë edhe shkakun pse mishi u zhduk nga pjata e tij. Libri shumë instruktiv i Iliaz Gogajt mbi atë shkollë na jep shumë detaje mbi rolin që luan shembulli personal në edukimin shkollor dhe në shoqëri për zgjidhjen e problemeve, gjë që dha fryte nën drejtimin e tij duke u përcjellë praktikisht në zgjidhje pikë së pari mendërisht të problemeve e pastaj praktikisht. Libri përshkruan se si termi vocational që figuronte në vulën zyrtare të shkollës, (dmth., pedagogji që zhvillon prirjet e secilit drejt zotërimit të shumë disiplinave për të përhapur aftësi përballimi të problemeve që sjell koha moderne përditë, qoftë në qytet e në fshat) patjetër do të formonte edhe karaktere ndër të rinjtë, si dhe botëkuptimin shoqëror e politik të kryeqytetit shqiptar. Në atë moment të mbas L1B, shqiptarët i ishin drejtuar si organizata dhe si individë presidentit W. Wilson për ndihmë, madje edhe me kërkesa për tutori.
Përgjigja prej andej mund të thuhet se erdhi me këtë shkollë, dhe meqë kjo ndodhte në dekadën e dytë të pavarësisë, s’mund të quhet e paktë, ngaqë jo vetëm vinte pas ndërhyrjes shpëtimtare të Wilsonit në Versajë, po edhe se do të ndiqej nga raporte ambasadorësh, objektive dhe të vlefshme në favor tonin, si dhe të dërguarish të posaçëm që ndiqnin çdo zhvillim tonin me fqinjët. Ajo ndihmë vijoi me akte domethënëse kur për një shqiptar të rënë në shërbimin e tyre, Ambasada Amerikane e varroste në territorin e saj ose i lidhte pension familjes. Pra, lidhjet me Shqipërinë nuk i ndërprenë kurrë në një farë kuptimi. Nga ana tjetër, një numër relativisht i lartë i shqiptarëve që kryen studimet në shkollën amerikane gjatë një dekade, u shquan në fusha të ndryshme si specialistë me autoritet e me grada, u veçuan edhe tragjikisht, falë këtij shkaku.
PRAGMATIZMI. Reagimi pra që priste Fultzi prej studentëve nuk do të ishte ankues, as ideologjizues i natyrës evropiane, por thjesht shpjegues pse ndodhte kufizimi i një të drejte që e gëzonin natyrshëm. Nëse e vërejmë raportin që kemi pasur me zyrtarët amerikanët, dhe brenda tij stilin ose taktikën e tyre si kanë ndikuar ata në Shqipëri duke e nisur punën nga baza, me edukimin e rinisë drejt punës, shohim që edhe më 1991, grupi i grave të Korpusit të Paqes, synonin t’u mësonin grave shqiptare mënyra më higjienike në mjeljen e lopëve, ose rasti i një grupi tjetër, ndihmë dhe asistencë për rimbjelljen e fidanëve në shtrirjet e mëdha të shpyllëzuara ose në heqjen e minave.
Bëhet e qartë se ku rreh politika e tyre në dhënie ndihme o së paku ku rrihte deri para se të hiqnin USAID, ndoshta të zhgënjyer prej reagimeve apatike ose mosmirënjohëse edhe gjetiu nëpër botë. Sido që të gjykohet sipas rasteve ky akt, për ne çështja shtrohej ndryshe, prej lidhjeve që ka shteti i ynë qysh me krijimin e tij me ShBA. Por edhe angazhimi që duhet në çdo rast, angazhim që nuk kufizohet vetëm në fillin kulturor, por ngërthen tërë sektorin politik, përderisa Uashingtoni e thekson dhe e mbështet për anëtarësim tonë në BE e në NATO. Por le të shohim se sa ka zënë vend kjo lloj praktike e tyre këshilluese në një shekull të tërë, kur marrëdhëniet tona diplomatike me botën kanë pasur boshllëqe të shumta e veçanërisht me SHBA.
Arsimi po edhe administrata, dhe për pasojë edhe politika mbas rënies së diktaturës, të mbetura në dorën tonë ose afërsisht, a e kanë ruajtur sadopak frymën direkte që inicioi Fultzi me studentët, e që për fat të mirë është edhe e jona në momentet kur i themi tjetrit “Fol shqip”! Dhe sa ndikim patën mënyrat e tjera më pak direkte, të trashëguara ose më fort të huajtura, që kundërveprojnë me atë çka merrte studenti në atë konvikt, ose nga Evropa e që nisën të regjin indin tonë social me t’u larguar grupi i Fultzit në 1926 dhe misioni USA në 1946, kur Enveri u tha “Ç’prisni? Ikni dhe ju si ikën britanikët”.
Një vrojtues i kujdesshëm, për ta gjykuar çështjen do të vërë në peshore faktorët veprues e njëqind viteve të ndërmjetme, shumë negative në fakt, por nuk do lërë pa vlerësuar edhe faktorin personal të secilit aktor o faktor politik si grupe e si persona, si dhe mundësitë e kulturimit në një epokë me shumëzim kontaktesh me botën, komunikimesh të pakrahasueshme në formim të aftësive, ndihmash nga strukturat e krijuara ndërkohë nga moderniteti dhe hapja e që zëvendësuan mospërfilljen më të hershme ndaj regjimeve tona e vetë neve… SHBA-të janë ende në pritje, për shkak të daljes në shesh të barishteve të tjera penguese. Qysh me vizitën e ministrit Baker më 1991, ndihma 1 milion dollarë që na dha pati nënkuptime pritjeje e tipit “…deri sa të plotësoni ca kushte”. Pra, që atëherë dhe si gjithmonë, administratat e SHBA-ve janë gjallëruar vetëm në çështje që kanë të bëjnë me themelin e strukturës, para njëqind viteve me arsimin, sot me drejtësinë. Dhe kemi, falë tyre, SPAK-un të cilin e duan të tregojë prova gjallërie reale. Jemi ende pa ambasador të tyre në Tiranë, ndoshta për këtë arsye. Sepse drejtësia është e njëjtë kudo, funksionet e tjera shtetnore kanë nuanca ose veçantira, ajo, drejtësia nuk i ka ato, është e njëjta kudo, pa ndryshime sipas vendit. Ose është e vërtetë ose s’është drejtësi. Dhe është shkelja ose anashkalimi i saj në breza, që ka prurë fatalizmin o apatinë për të cilat ankohemi dhe tërë luftën politike vendëse, të kotë në shumicën e kohës dhe me britmat më të mëdha tërësisht false, krahasuar me debatin zëulët në gjykata, që i zgjidh çështjet e që urtia e popullit e quan “dy fjalë që ndajnë dheun”… I tillë është bërë falsiteti politik, sa në kauzën e përmbysur që ka stisur, merr guxim edhe një zaptues prone çfarëdo, të vrasë gjyqtarin, jo nga gardhi si dikur dhe me dënim njëzëri nga opinioni, por drejt në sallë pse bëri detyrën dhe me shumë zëra që e miratojnë.
Shkurt, morali i shoqërisë ka rënë shumë, dhe e politikanëve veçanërisht, sa neglizhojnë detyrën e bërjes së ligjeve për t’u kapur tërë orarin me të drejtën e obstruksionit që është më ekstremja dhe e pazakonshmja; dhe atë e bëjnë jo me inflacion fjalimesh si kudo, por me praktika destruktive (djegie karrigesh e hedhje tymuesesh), pra kemi arritur te diametralisht ekstremi i kundërt i mësimit që u dha profesori amerikan studentëve, aq sa bëhet e udhës adoptimi i një Kodi Penal nga më të rreptë, për të sjellë në vete jo lagjet problematike, por ata që duhet të ishin elita parlamentare e vendit.
Gjendja madje të duket si e përkeqësuar në drejtim antiamerikan, sepse me shekullin që po mbush shkëputja e jonë nga ai grup edukues kaq efektiv nën drejtimin e Harry Fultz-it, rezultati i arritur është përçudnim i stadit më elementar, tek i cili amerikanët kishin vënë energjitë e tyre ta përçonin në nivele më të larta. Dhe ndodh i njëjti zhgënjim për ta edhe në Kosovë, ku SHBA, edhe pse me rol përcaktues në pavarësimin e saj, sikundër edhe në atë të Shqipërisë, janë shqiptarët që japin shenja paaftësie madje kapricioziteti për të mos përfituar nga momenti strategjik, duke penguar për çudi me dobësi fare elementare taktike.
Të kujton kjo rrethanë atë që ndodhi njëqind vjet më herët në një mjedis shkollor në Tiranën e viteve ‘20. Por personazhet kanë ndryshuar, adoleshentët e asaj Tirane të thjeshtë, të dëshiruar për të nxënë nga ai burrë që i impresiononte me mësimin e tij jetësor, janë ndërruar në politikanë moshe të re dhe të kaluar nëpër shkolla evropiane e që rrudhin ballin dyshues para të njëjtit mësim që u vjen nga e njëjta shkollë pragmatiste, që fundja vendosi lirinë e Kosovës. Janë vërtet të bindur që ka vështirësi për t’u bashkuar? Apo janë të penguar nga një lloj votues që refuzon pavarësinë mendore mbasi fitoi pavarësinë nga serbi? Pra, mund të jenë të varur nga ato “pengesa”, që kolegët e tyre politikanë dhe rivalë po kosovarë i kanë hedhur poshtë me kohë dhe i ftojnë asgjë më shumë veçse të bëjnë të njëjtën gjë./ Gazeta Panorama
© Panorama.al












