Dështon takimi i parë mes Ministrisë së Punës dhe përfaqësuesve të grevës së invalidëve para dhe tetraplegjikë.Këta të fundit kanë deklaruar se do të vijojnë të qëndrojnë të ngujuar deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Dje, në ditën e pestë të grevës, u duk se gjërat lëvizën disi. Zv. ministrja e Punës, Filloreta Kodra, vizitoi dje grevistët dhe u interesua për gjendjen e tyre shëndetësore. Pavarësisht kësaj, ajo u ka kërkuar para dhe tetraplegjikëve ndërprerjen e grevës së urisë. Ata i janë shprehur se e vetmja zgjidhje për kërkesat e tyre ekonomike është zhvillimi i bisedimeve mes palëve. Ndërkohë, në një deklaratë për mediat, Ministria e Punës ka renditur politikat lehtësuese e favorizuese ndaj kësaj kategorie. “Pagesa e aftësisë së kufizuar ka qenë 6800 lekë, ndërsa tani është 9000 lekë. Pagesa për kujdestarin, nga 6800 lekë, është 9500 lekë dhe për herë të parë kujdestarëve të personave me aftësi të kufizuar, nga buxheti i shtetit u paguhet edhe siguracioni. Paketa higjieno-sanitare, që është dhe një nga kërkesat e tyre, nga 0 lekë që ka qenë në vitin 2005, sot është 16 000 lekë”, tha Alma Lahe, zëdhënëse e Ministrisë së Punës. Por kërkesat aktuale të grevistëve nuk përputhen me lehtësirat e krijuara për ta nga autoritetet e Ministrisë së Punës. Janë 22 gra dhe burra, të cilët i kanë bërë apel qeverisë që të plotësojë kërkesat e tyre në mënyrë që ata t’i japin fund kësaj proteste. Gjendja shëndetësore e tyre është rënduar. Gratë janë në gjendje më të rëndë dhe për to qëndrimi në grevë po vështirësohet. “I bëjmë apel qeverisë t’i shohë gjërat tona sa më shpejt që kjo grevë të mbyllet sa më parë”, ka thënë një prej tyre. Para dhe tetraplegjikët kërkojnë rritjen e përfitimit të karburantit në 80 litra në muaj, rritjen e pagesës së paaftësisë sipas pagës minimale 10 200 lekë, nga 9000 lekë që marrin aktualisht, rritjen e përfitimit të paketës higjieno-sanitare në vlerën 30 000 lekë në muaj, respektimin e ligjit “Për të drejtën e strehimit” dhe ngritjen e një ambienti çlodhës në bregdet. Por, ndërsa para dhe tetraplegjikët shprehen të vendosur të qëndrojnë në grevë derisa të plotësohen kërkesat e tyre ekonomike. Ministria e Punës ka deklaruar me shifra se sa kanë përfituar 5100 persona që i përkasin kësaj kategorie deri më sot, si dhe ka kërkuar që ata t’i japin fund kësaj greve. “Ne i kemi mirëkuptuar kërkesat e tyre dhe kemi qenë të vëmendshëm, por kërkojmë që ata të ulen në negociata dhe të heqin dorë nga sjellje të tilla ekstreme”, ka deklaruar zëdhënësja e Ministrisë. Para dhe tetraplegjikët, grevën e fundit e kanë zhvilluar në vitin 2008.
Perfitimet
Një person me aftësi të kufizuara para dhe tetraplegjik përfiton :
• Pagesa e aftësisë së kufizuar 9 000
• Pagese për
kujdestarin 9 500
• Paketa
higjenosanitare 16 000
• Komp energjie deri në 300 lekë 2 217
Total 36 717
• Nqs ndjek arsimin
e lartë 18 000
• Mund të përfitoj
pension invalidi 15 000
• Kompesim
karburanti 7 000
• Kompesim
telefoni 2 000
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











