Greqia akuzon palën shqiptare se ka zvarritur hartimin e një marrëveshjeje që do ta ndihmonte vendin tonë për të plotësuar të gjitha kushtet, me qëllim anëtarësimin me të drejta të plota në Bashkimin Europian brenda vitit 2014. Këtë deklaratë e bëri dje një burim diplomatik pranë Ministrisë së Jashtme greke, gjatë një takimi me një grup gazetarësh. Sipas këtij burimi, Greqia, e cila pas tre vjetësh do të organizojë Samitin e Selanikut, ka një plan për të propozuar që të gjitha vendet e rajonit të bëhen pjesë e Unionit. Për këtë qëllim, ajo ka hartuar një draft, të cilin së fundi e ka nënshkruar edhe me Serbinë dhe që konsiston në ndihmën nga ana teknike për përfundimin sa më shpejt të këtij procesi. Por, përsa i përket Shqipërisë, autoritetet greke thanë se nga pala jonë ka pasur zvarritje të procesit. Por, Tirana zyrtare i ka hedhur poshtë këto qëndrime të zyrtarëve të lartë grekë. Burime diplomatike nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë, të kontaktuar mbrëmë nga gazeta “Panorama”, thanë se nuk ka asnjë pengesë për këtë çështje. Në të njëjtën kohë, zyrtari i lartë i Ministrisë së Jashtme tha se Tirana zyrtare është gati të nënshkruajë çdo marrëveshje dypalëshe. Komisioni Europian vendosi në muajin nëntor të mos i japë statusin e vendit kandidat Shqipërisë, por të nisë negociatat me të sapo të jenë plotësuar kriteret, veçanërisht ato politike. Në dokument janë shënuar 11 rekomandime, të cilat duhet t’i plotësojë Shqipëria përpara se të hapen negociatat. Rekomandimet e para i kushtohen pikërisht krizës politike. “Të sigurojë funksionimin e Parlamentit të saj mbi bazat e një dialogu politik konstruktiv dhe të qëndrueshëm mes partive politike; të miratojë ligjet që janë pezull, të cilat kërkojnë shumicë të cilësuar në Parlament; të caktojë Avokatin e Popullit dhe të sigurojë seancë dhe proces votimi të rregullt në Parlament për emërimet në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese”, thuhet në materialin e publikuar.











