Ekspertët nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, nga Banka Qendrore Europiane dhe nga Komisioni Europian, të cilët kanë vizituar Greqinë për të parë përparimin që do të sillnin masat e saj të kursimit, janë shprehur të pakënaqur me përpjekjet e qeverisë. “Është e qartë që plani i kursimeve nuk funksionon deri tani”, janë shprehur ata. “Vendi bën dy hapa para dhe një prapa”, u tha në raport. Sipas Pol Matias Tomsen, përfaqësues i FMN-së në trojkë, nevojiten reforma shumë më të ashpra. Krerët e shteteve dhe të qeverive të eurozonës e varin pagesën e transhit të ri të ndihmës për Greqinë nga një gjykim pozitiv i së ashtuquajturës trojkë. Pa kredi të reja, Greqia nuk do të ishte e aftë të paguante as pagat e pensionet në nëntor. Çdo ditë qytetet kryesore të këtij vendi janë të mbushur me protestues, që nga ata të grevave kombëtare, e deri te sektorët e veçantë, në ditë të veçanta, si transporti, arsimi, spitalet, etj.











