
Greqia është varur në fije të perit, por financiarët nga FMN-ja dhe BE-ja duan ta lënë edhe për ca kohë të lëkundet kështu, duke e dënuar për dështimin në paketat e njëpasnjëshme të kursimit, të cilat nuk arritën të ulnin deficitin. Kështu, ata vendosën që përkundër idesë së parë, se kësti prej tetë miliardë eurosh nga paketa e parë e shtimit të Greqisë do të jepej më 13 tetor, vendi duhet të durojë deri nga mesi i nëntorit, sepse ata nuk kanë mbetur të kënaqur nga “arritjet” e deritanishme. Përfaqësuesit e financave nga Banka Qendrore Europiane, Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, të cilët qëndruan për tri ditë në Greqi për të parë se deri ku do ta çonin “shpëtimin” e Greqisë dhe aftësinë e saj për të larë borxhet masat e reja të kursimit, kërkuan akoma më shumë sakrifica. Masat e miratuara së fundi u konsideruan më të egrat në historinë e planifikimit të buxhetit të Greqisë. Ministri grek i Financave, Evangelos Venizelos, tha dje në një konferencë për shtyp se trojka kërkon masa shtesë nga qeveria greke. Venizelos pranoi se shteti helen ka para për të paguar pagat dhe pensionet vetëm për nëntorin, duke u kërkuar shtetasve të tij që të mos alarmohen, pasi, sipas tij, marrja e këstit të gjashtë të ndihmës prej tetë miliardë eurosh nuk rrezikohet, edhe pse po vonohet. Edhe pse vetë Venizelos është shprehur pak ditë më parë se në rezervat e shtetit është ndezur “drita e kuqe”, ai dje tha se është detyra e tij të përgënjeshtrojë zërat se arka e shtetit është bosh. Ndërsa sot Greqia përgatitet për një tjetër grevë mbarëkombëtare, ministri i Financave tha se dëshiron të shpjegojë pse liderët e Eurogrupit e shtynë takimin e 13 tetorit. Ai tha se ka tri arsye të forta për këtë, që nuk e cenojnë marrjen e këstit. Më 17-18 tetor është takimi i Këshillit Europian, parlamentet kombëtare të eurozonës duhet të përfundojnë ratifikimin e vendimeve për zgjerimin e EFSF dhe sepse pritet raporti i trojkës, që është baza për këstin e gjashtë të ndihmës. Por, duke shtuar një dozë optimizmi, ministri grek tha se vendi u vlerësua për sistemin bankar, i cili u konsiderua absolutisht i sigurt, u mor garancia se Greqia do të mbetet në zonën euro dhe vendi nuk do të falimentojë.
8 miliarde
euro pret Greqia të marrë me këstin e gjashtë të paketës së saj të parë të shpëtimit, e cila është formë borxhi për të paguar pagat e pensionet dhe këstet e mëparshme të borxhit.
Bien bursat europiane
Bursat europiane kanë shënuar rënie të ndejshme ditën e dytë radhazi, pas paqartësive të krijuara nga kriza greke dhe uniteti i eurozonës. Edhe monedha e përbashkët, euroja, ka shënuar rënie, ku bursat ndërkombëtare kanë rritur transaksionet në dollarë.











